• e premte, 27 dhjetor 2024

Në Kuvend ratifikohen tri marrëveshje në kuadër të Procesit të Berlinit

Në Kuvend ratifikohen tri marrëveshje në kuadër të Procesit të Berlinit

Shkup, 19 prill 2023 (MIA) – Kuvendi në seancën e 111-të i ratifikoi tri marrëveshjet në kuadër të Procesit të Berlinit - për njohje të ndërsjellë të letërnjoftimeve, diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale.

Pasi komisionet amë nuk kanë dorëzuar propozim të plotësuar, deputetët pa debat i sollën: Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor, Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor dhe Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve profesionale të doktorëve të mjekësisë, doktorëve të mjekësisë dentare dhe arkitektëve në kontekst të Marrëveshjes qendrore evropiane për tregti të lirë.

U votua edhe Ligji për automjete në lexim të dytë, i cili parasheh deri në fund të vitit 2024 të vazhdohet afati për legalizimin e traktorëve dhe makinave të tjera mobile që përdoren në mekanizmin bujqësor.

Sipas deputetit Zdravko Trajanov nga VMRO-DPMNE, është problematike që nuk është saktësuar për cilat automjete ka të bëjë ligji i propozuar. Grupi i tij i deputetëve ka pasur amendamente në Komisionin kuvendor për ekonomi për përmirësimin e tekstit, por në vend të kësaj, siç tha ai në debat, janë bërë lapsuse.

Panço Minov, nga ana tjetër, iu përgjigj se me ligjin do të zgjidhet siguria juridike e poseduesve të këtyre automjeteve dhe se bëhet fjalë për legalizim dhe për regjistrim.

Pas hyrjes së Aleancës për Shqiptarët në Qeveri, janë votuar edhe disa vendime për zgjedhjen e kryetarëve dhe zëvendësve të tyre dhe anëtarëve dhe zëvendësve të tyre në komisionet kuvendore dhe trupat e punës dhe në përbërje të delegacioneve dhe grupeve të deputetëve për bashkëpunim me parlamentet e shteteve të tjera.

Deputetët pa diskutim i sollën edhe Ligjin për formimin e Agjencisë për Energjetikë të Republikës së Maqedonisë, Ligjin për Zooteknikë dhe Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Drejtorinë e të Ardhurave Publike.

U votuan edhe rekomandime se nuk është arsyetuar kërkesa për dhënien e interpretimit autentik të nenit 191 lidhur me nenin 7 të Ligjit për falimentim, i shtruar nga deputeti Jovan Mitreski dhe se nuk është arsyetuar kërkesa për interpretimin autentik të nenit 20 pika 8 e Ligjit për veprim për objekte të ndërtuara në mënyrë të paligjshme, i dorëzuar nga kryetari i Komunës së Kavadarit.

Për pikat e tjera të seancës së 11-të nuk kanë debatuar komisionet kuvendore amë dhe për këtë kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi e ndërpreu këtë seancë dhe tha se vazhdimi do të kumtohet shtesë.

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR