• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Në Kuvend edhe sonte debat për rikonstruimin e Qeverisë

Në Kuvend edhe sonte debat për rikonstruimin e Qeverisë

Shkup, 16 shkurt 2023 (MIA) - Kuvendi sonte pas orës 19 vazhdoi me punë në kuadër të mbledhjes së 104-t për rikonstruimin e Qeverisë, për çka po zhvillohet debat tashmë katër ditë. Pas debatit prej një orë e gjysmë në kuadër të vazhdimit të mbledhjes së pasdites, nënkryetari i shtëpisë ligjvënëse, Goran Misovski dha pauzë dhe paralajmëroi punë edhe pas orës 19.

Në fillim të vazhdimit të sontëm të mbledhjes, koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, në reagim procedural e akuzoi Misevskin për arbitraritet dhe keqpërdorim të Rregullores së Kuvendit.

Sipas Micevskit, Misovski në mungesë të kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, i cili është në udhëtim zyrtar në Slloveni, nuk ka pasur të drejtë të shpallë me gojë vazhdimin e punës në Kuvend.

Micevski pyeti sipas cilit nen të Rregullores Misevski e ka vazhduar punën e shtëpisë ligjvënëse dhe theksoi se ashtu ka mundur të veprojë vetëm me dokument me shkrim nga Xhaferi.

"Po të kishit dokument me shkrim nga Xhaferi me nënshkrim, kjo është e pranueshme. Nuk jeni ju ai që mund ta vazhdoni mbledhjen me gojë pas orës 18:00. Ju po e shkelni Rregulloren për të miliardën herë", tha Micevski.

Bashkëpartiakja e tij Eli Panova kërkoi që Misovski ta ndërpresë mbledhjen, ndërsa vendimin e nënkryetarit të Kuvendit e kritikoi edhe Dragan Kovaçki. 

Misovski vlerësoi se akuzat e Micevskit janë të pabaza. Ai sqaroi se ka vepruar sipas nenit 71 paragrafi 2 i Rregullores, sipas të cilit “në rast të pamundësisë apo mungesës së kryetarit, atë e zëvendëson nënkryetari”.

“Kryetari e ndërpret mbledhjen me kërkesë të koordinatorit, kur ti kërkon pauzë, kërkon kryetarin apo mua?”, tha Misovski, duke i treguar Micevskit se, siç tha ai, kur një ditë kishte kërkuar që mbledhja të ndërpritet më herët për shkak të obligimeve të deputetëve të VMRO-DPMNE-së nuk e kishte kërkuar kryetarin e Kuvendit.

Deputetët ende po debatojnë për pikën e parë të rendit të ditës, gjegjësisht propozimin për shkarkimin e anëtarëve të Qeverisë, ministrat e mëparshëm të Shëndetësisë, Bekim Sali, të Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Admirim Aliti dhe ministrit pa resor përgjegjës për Diasporën, Xhemail Çupi. Ata janë kuadro të Alternativës e cila u largua nga koalicioni qeveritar dhe do të zëvendësohen me ministra të Aleancës për Shqiptarët, partnerin e ri të koalicionit në Qeveri. fc/

 

QËNDRONI TË LIDHUR