• e enjte, 26 dhjetor 2024

Në konfliktin e Lindjes së Mesme luftohet edhe me dezinformata

Në konfliktin e Lindjes së Mesme luftohet edhe me dezinformata

Shkup, 24 dhjetor 2023 (MIA) – Videot dhe fotografitë e vjetra që lidhen me zhvillimet aktuale në dy muajt e fundit, janë pjesë e dezinformatave të përditshme që ndahen në lidhje me konfliktin e armatosur në Lindjen e Afërt. Këto informacione të rrejshme, të gabuara dhe të pabazuara i kanë ndarë edhe disa prej mediave më të mëdha në të gjithë botën dhe kjo shkaktoi dyshime dhe konfuzion. Përmbajtje “anuese” të plasuara nga të dyja palët, në të njëjtën kohë, rritën rrezikun e ndezjes së epsheve dhe përshkallëzimit të konfliktit.

Midis videove të vjetra të Presidentit rus Vladimir Putin, të cilat ishin të lidhura në mënyrë të rrejshme me konfliktin, qarkullonin edhe me fëmijë në kafaze, një fotografi me mbetje të të vdekurve që nuk i referoheshin viktimave civile në Gaza dhe përmbajtje të ngjashme, më së shpeshti shqetësuese, të cilave është e lehtë t'u besohet, e madje edhe më e vështirë të dëshmohet dhe të shpallet se janë të pasakta. Profilet imagjinare u shfaqën në rrjetet sociale mbi të cilat u përhapën pretendime të rreme dhe e gjithë kjo kontribuoi që situata faktike të ishte e vështirë për t'u përcaktuar, respektivisht të shihet fotografia e vërtetë e zhvillimeve në vendet e luftës.

Sipas Mihajlo Lahtov, specialist i arsimimit mediatik, raportimi mbi konfliktin  përmban disa elemente seriozisht problematike. Ai shprehet se ndonëse dezinformatat janë pjesë e pashmangshme sikurse secila temë e përditshmërisë, në këtë rast ai nuk konsideron se ato janë një nga problemet kryesore.

“Nëse i analizoni raportet nga dita e parë, e deri më sot, mund të vëreni një shkallë të lartë të çekuilibrit, brohoritjeve anuese, mbajtjes së anës dhe paraqitjes së fakteve dhe mendimeve që do të mbështesin vetëm tezën se të parët ose të dytët janë fajtor, pa analizuar as kontekstin, historinë e konfliktit, rrethanat aktuale politike, e kështu me radhë”, shprehet ai.

Ajo që e ka befasuar dhe e ka dëshpëruar, siç shton ai, është se kjo “rritje” e raportimit emotiv, anues nuk mbeti prapa as te mediat më serioze dhe më relevante botërore, të cilat nuk u përmbajtën nga shprehja e qartë e anshmërisë dhe mbështetjes së tyre.

"Sidomos në ditët e para të konfliktit, në shumë raste ne ishim dëshmitarë të një përshkrimi të njërës palë, e madje edhe shkencëtarë dhe intelektualë të njohur hebrenj dhe izraelitë, si Çomski, Gideon Levi, gazetarja izraelite Amira Has, të cilët kanë qëndrim kritik ndaj politikës zyrtare izraelite, duhej të kërkonin hapësirën e tyre në platforma alternative dhe rrjete sociale për të shprehur mendimin e tyre. Këtu do të shtoj një gjë tjetër shumë të rëndësishme. Gjithmonë kur flitej për Izraelin, dëgjonim vetëm qëndrimin zyrtar të elitës aktuale politike izraelite, pa i dhënë hapësirë mendimit publik, inteligjencës dhe opinionit shkencor në Izrael. Në një numër të vogël mediash (zakonisht në videot në YouTube) mund të shihnim se në protestat (në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara) kundër aksionit të Izraelit, iu bashkëngjitën shumë hebrenj dhe ne nuk kishim mundësi të dëgjonim zërin e tyre", elaboroi Lahtovi.

Një nga elementet më serioze që duhet të analizohet nga pikëpamja e komunikimit mediatik, siç thekson ai, është se kush ka mundësi të flasë, kush ka qasje në mediat kryesore, respektivisht, siç shprehet ai, për të analizuar aspektin e zërave të privilegjuara. Vendosjen në kornizë të të gjithë konfliktit nga mediat kryesore, gjithashtu e vlerëson si problematik.

"Por, megjithatë, flas nga aspekti i vëzhguesit, e jo të dikujt që e ka analizuar këtë dhe që mund të ofrojë dëshmi. Ajo që unë arrita të vërej ishte vendosja në kornizë të tipit "Hamasi është e keqja më e madhe dhe duhet të shkatërrohet pa marrë parasysh çmimin". Narrativa që dominoi në shumë media kontribuoi që i gjithë debati të zhvillohet vetëm përmes atij prizmi", shprehet Lahtovi.

Sa i përket mediave në Maqedoni, ai shprehet se kur përpiqen të përkthejnë lajme nga agjencitë e huaja të lajmeve, ata nuk i kushtojnë vëmendje sensacionalizmit.

"Për mediat në Maqedoni, ato ose tranasmetonin lajme nga agjencitë e huaja të lajmeve, ose si zakonisht, përpiqeshin të përkthenin diçka (kryesisht pa sukses) nga mediat e huaja, kryesisht nga ato serbe. Dhe kjo rrëmujë, për të botuar sa më shumë që të jetë e mundur në portalin e vet, kontribuon në përkthimin e çdo gjëje dhe gjithçkaje, por kryesisht shund, histori dhe dëshmi tronditëse (shpesh imagjinare), storie dhe fotografi emotive. Si zakonisht, televizionet organizuan emisione muhabeti (nuk do të thoja të debatueshme, sepse kjo kërkon debat argumentues midis pjesëmarrësve të gatshëm) në të cilin kryesishtu mbulua aspekti i sigurisë", shprehet ai.

Sipas docent dr. Vesna Poposka, profesoreshë e së drejtës ndërkombëtare, dekane e Fakultetit Juridik në Universitetin Ndërkombëtar "VIZION", dezinformatat dhe lajmet e rreme si taktikë e luftës nuk janë lajme, por ato marrin një dimension dhe kuptim të ri ndërsa intensifikohen mënyrat e komunikimit dhe ashtu siç përparon teknologjia.

"Mediat ndikojnë në krijimin e mendimit publik, veçanërisht në çështje të nxehta me interes publik për të cilat publiku nuk mund të marrë gjithmonë informacion “të dorës së parë” ose ta dëshmojë atë përmes përvojës personale. Në këtë mënyrë, ata ndikojnë në thellimin e problemeve dhe segregacionit, ose pacifizimit dhe ndërtimit të një shoqërie liberale të bazuar në mbështetje dhe mirëkuptim të ndërsjellë", shprehet ajo.

Poposka sqaron se në këtë mënyrë ndikohet edhe në klimën politike në shtet, dhe në këtë kontekst, dezinformatat dhe lajmet e rrejshme ndikojnë në minimin e besueshmërisë së qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike, ndërsa forcimin e së djathtës radikale ose aktorëve politik proksi që punojnë në agjenda të huaja nga qendra të ndryshme të fuqisë.

"Shpesh them se qëllimi i tyre është të rrëzojnë botën siç e njohim, bazuar në vlera për të cilat angazhohemi pa plumb të shkrepur. Ato janë vetëm pjesë e një vargu taktikash të përdorura për të keqpërdorur pikat më të buta ose më të ndjeshme në një shoqëri, siç është liria e fjalës", shprehet Poposka.

Ajo shton se qëllimi i tyre është të arrijnë qëllimet strategjike përmes zhvendosjeve në nivelin operativ, e si shembull eklatant përmend letrën e rreme gjoja të shkruar nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg drejtuar ministrit të Mbrojtjes së Lituanisë në kulmin e pandemisë.

Nëpërmjet edukimit për kontekstin deri në analizën kritike të zhvillimeve

Lahtovi thekson se mediat nuk transmetojnë porosi, por ato janë porosi, ose, siç thotë ai, "ekstenzion njerëzor, syzet tona për larg". Ai porositë se ajo që secili prej nesh mund të bëjë për të marrë informacion të saktë është të edukojmë veten për kontekstin dhe të informohemi nga burime të ndryshme.

Македонскиот институт за медиуми и Агенцијата за аудио и аудиовизуелни медиумски услуги денеска организираат тркалезна маса на тема „Потребата и можностите за вклучување на медиумската писмен

"Porosia nga platformat sociale nuk varet nga përmbajtja e tyre, por nga forma e tyre. Respektivisht, pavarësisht nga përmbajtja e një postimi, videoje ose fotoje, porosia kryesore në rrjetet sociale është se çdo gjë mund të shkojë kudo, asgjë nuk mund të fshihet, gjithçka mësohet. Ose, sot mund të zbulojmë se çfarë po ndodh mijëra kilometra larg, në çdo minutë të ditës. Është një nga ndryshimet më të mëdha që mediat onlajn, dhe veçanërisht rrjetet sociale, kanë sjellë në jetesën tonë. Ky konflikt ka vazhduar për më shumë se 80 vjet, por ne asnjëherë nuk kemi qenë në rrjedha me gjithçka që po ndodh me të vërtetë, siç bëjmë sot. Problemi më i madh sot nuk është censura (e cila është e pamundur), por sasia dërrmuese e informacionit që na janë në dispozicion. Ç'të bëjmë me to, si t'i filtrojmë është pyetja kryesore", thekson ai.

Si pjesë e rekomandimeve, ai thotë se nuk duhet të mashtrojmë veten se mund të bëjmë diçka me mënyrën se si do të raportojnë mediat ose nëse do të realizojnë ndonjëherë rolin që kemi imagjinuar për ta, të jenë edukatori dhe informatori ynë. Megjithatë, siç thotë ai, shumë më afër është teza  e Altiserit, se ato janë aparat ideologjik shtetëror.

"Ajo që mund të bëjmë është të lexojmë për këto gjëra, të edukohemi për kontekstin, të informohemi nga vende dhe media të ndryshme dhe të analizojmë në mënyrë kritike gjërat, e jo në mënyrë emotive dhe anuese", shprehet Lahtovi.

Poposka rekomandon se mediat duhet të mbeten në përputhje me profesionin e tyre dhe nivelin e detyrës.

“Të punojnë me përkushtim dhe me përgjegjësi dhe t'u përmbahen standardeve dhe normave të raportimit gazetaresk, gjithmonë duke marrë parasysh dimensionin njerëzor dhe sjelljen etike”, shprehet ajo.

Angella Rajçevska

foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR