• e premte, 27 dhjetor 2024

Në frontin evropian ka vend edhe për partinë e Arijanit Hoxhës dhe partitë tjera, thotë Osmani

Në frontin evropian ka vend edhe për partinë e Arijanit Hoxhës dhe partitë tjera, thotë Osmani

Shkup, 30 gusht 2023 (MIA) - Tani është koha kur të gjithë duhet të pozicionohen, fronti evropian është i hapur për të gjithë, thotë ministri i Punëve të Jashtme dhe nënkryetar i BDI-së Bujar Osmani, i cili nuk deshi të konfirmojë nëse janë të sakta informacionet se janë duke u zhvilluar bisedime për hyrje në Qeveri të Partisë Demokratike Evropiane të Arianit Hoxhës.

"Nuk kam informacione për një gjë kaq specifike. Ajo që mund të them është se ideja është promovimi i frontit europian. Asnjëherë më parë shoqëria nuk ka qenë e polarizuar mes Evropës dhe anti-Evropës. Tani është koha kur thyhen shigjetat, tani kur kalohet udhëkryqi, është koha që të gjithë të pozicionohen. Të gjithë të pozicionohen. Prandaj fronti evropian është i hapur për të gjithë, pavarësisht partive politike në bazë etnike, ideologjike apo ndonjë përkatësie tjetër jashtë BE-së, ndaj ka vend në frontin evropian edhe për partinë e Arianit Hoxhës wdhe partitë e tjera që mendojnë se tani është koha. Pas deklaratës së Sharll Mishell, nuk ka më vend për humbje kohe, tha Osmani në pyetjen e një gazetari në një konferencë për shtyp në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Për atë nëse BDI do të heqë një pjesë të vendeve në Qeveri, ai tha se vendimin për këtë e merr partia.

"Ky duhet të jetë vendim i partisë. Vërtet, deri më tani nuk kam qenë pjesë e bisedave në të cilat është diskutuar ajo temë, kështu që nuk mund ta konfirmoj", thotë Osmani.

Aktualisht në Parlament, partia e Hoxhës përfaqësohet nga një deputet, Bastri Bajrami i cili vepron si deputet i pavarur. ls/

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR