• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Në Francë mbahet rrethi i parë i zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare

Në Francë mbahet rrethi i parë i zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare

Paris, 30 qershor 2024 (MIA) - Në Francë sot do të mbahet rrethi i parë i zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, të cilat ka mundësi për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore ta sjellin të djathtën ekstreme në pushtet, pas fitores bindëse të partisë Tubimi Nacional mbi aleancën e qendrës së presidentit Emanuel Makron në zgjedhjet për Parlamentin Evropian. 

Më shumë se 49 milionë qytetarë kanë të drejtë vote dhe do të zgjedhin 577 deputetë për dhomën e poshtme të parlamentit francez. Rrethi i dytë është caktuar për më 7 korrik. Mediat i cilësuan këto zgjedhje si më të rëndësishmet në dy dekadat e fundit në vend. 

Presidenti Emanuel Makron shpalli gjendje të jashtëzakonshme më 9 qershor, duke njoftuar për shpërbërje të Kuvendit, natën e njëjtë kur e djathta ekstreme shënon fitore të bindshme në zgjedhjet evropiane, të mbajtura ditën e njëjtë në Francë.

Francezët e zgjedhin Parlamentin francez në mënyrë shumë specifike. Parlamenti përbëhet nga dy dhoma - Senati dhe Asambleja Kombëtare. Senati zgjidhet në mënyrë indirekte (deputetët zgjidhen nga organet më të larta përfaqësuese) dhe përfaqëson njësitë territoriale dhe qytetarët e Francës që jetojnë në territoret e huaja. Franca ka 18 rajone, nga të cilat 13 ndodhen në Francën evropiane dhe 5 janë zotërime jashtë shtetit.

Deputetët në Asamblenë Kombëtare zgjidhen drejtpërdrejtë në zgjedhje. Makroni e shpërbëu vetëm Asamblenë Kombëtare, prandaj francezët në rrethin e parë (30 qershor) dhe rrethin e dytë (7 korrik) do të zgjedhin 577 deputetë sipas parimit një deputet nga një njësi zgjedhore.

Ata do të zgjidhen nga një sistem unik zgjedhor i përdorur vetëm nga Franca - një sistem zgjedhor i shumicës absolute. Megjithëse zgjedhjet teorikisht mund të mbahen vetëm në një rreth, gjithmonë duhen dy rrethe për të zgjedhur një deputet të ri. Rregullat e rrethit të parë janë relativisht të thjeshta. Fitues është kandidati që fiton më shumë se 50 për qind të votave, me kusht që të kenë votuar të paktën 25 për qind e votuesve të regjistruar në atë zonë.

Pasi është vështirë të arrihet shumicë absolute, duhet të shkohet në rrethin e dytë. Për dallim nga shtetet e tjera demokratike ku në rrethin e dytë shkojnë dy kandidatët me më së shumti vota të fituara, në sistemin absolut të shumicës në rrethin e dytë shkojnë të gjithë që fituan më shumë se 12,5 për qind të votave në rrethin e parë.

Nisur nga numri i partive dhe ndarja e korpusit zgjedhor, ekziston një dispozitë në ligjin zgjedhor - nëse asnjë nga kandidatët nuk arrin të kalojë pragun prej 12,5%, në rrethin e dytë shkojnë dy kandidatët me më shumë vota të fituara në rrethin e parë.  Teorikisht, në rrethin e dytë mund të hyjnë madje tetë kandidatë, por në praktikë zakonisht hyjnë tre ose katër.

Nëse nuk shkohet në rrethin e tretë, në të dytin fiton kandidati i cili do të marrë më së shumti vota - shumicën relative. Me këtë, rrethi i dytë është i ngjashëm me zgjedhjet parlamentare britanike, por britanikët vendosin në një rreth.

Fakti që kandidati me shumicë relative fiton hap shumë mundësi për koalicione parimore dhe joparimore. Partitë politike të lidhura janë të detyruara të bëjnë një koalicion përpara rrethit të dytë dhe të paraqesin një kandidat të përbashkët në mënyrë që opsioni i kundërt politik të mos fitojë. Kështu, sistemi zgjedhor i shumicës absolute para rrethit të dytë zvogëlon numrin e kandidatëve për votimin përfundimtar.

Ligji i zgjedhjeve u mundëson kandidatëve të tërhiqen nga zgjedhjet deri në rrethin e dytë, që pastaj dukshëm e ndryshon raportin e forcave. Shumë shpesh tërhiqet kandidati me përqindje më të vogël të votave, por nuk ka rregulla. 

Ekspertët dhe politikanët presin rritje të dukshme të jehonës në krahasim me zgjedhjet në vitin 2022, kur morën pjesë vetëm 47,51 për qind të votuesve. Këtë herë pritet që jehona do të jetë rreth dy e treta e votuesve të regjistruar, gjegjësisht mbi 60 për qind. 

Ajo rritje pjesërisht i shënohet pasojave potenciale historike nga zgjedhjet, të cilat për herë të parë nga viti 1997 do të mund të mos harmonizohen me zgjedhjet presidenciale. 

Dy anketa të publikuara të premten - Instituti  Ifop për Figaro dhe Sid Radio, dhe instituti Odoksa (Odoxa) për mediat rajonale dhe Nuel Obs, parashohin se grupi e djathta ekstreme do të fitojë ndërmejt 35 dhe 36,5 për qind të votave. 

Sipas këtyre anketave, Aleanca Fronti i ri Popullor, i cili i bashkon të gjitha partitë e majta, duke e përfshirë edhe Francën e Papushtuar (LFI, e majta radikale), do të fitojë ndërmjet 27,5 dhe 29 për qind të votave, përderisa grupi rreth presidentit Makron do të fitojë rreth 20,5 deri 21 për qind të votave. 

Disa anketa sygjerojnë se mund të mendohet se Tubimi Kombëtar dhe aleatët e tij të fitojnë shumicën absolute prej të paktën 289 deputetëve. 

Parashikimet përballen me të panjohura serioze, duke filluar nga vendi ku secili prej tre kandidatëve do të qëndrojë për rrethin e dytë, si dhe sa tërheqje të minutës së fundit do të ketë në përpjekje për të unifikuar votën kundër TK-së.

Fushata, e cila zgjati tri javë, ishte shoqëruar me incidente në teren, me çka disa kandidatë dhe aktivistë ishin sulmuar për shkak të tensioneve të rritura mes tre blloqeve, të cilët mes vete akuzohen për dhunë.

Nëse në zgjedhjet TK ose koalicioni i majtë Fronti i Ri Popullor (NFP) fitojnë shumicë absolute (të paktën 289 vende të deputetëve), Makroni do të duhet të zgjedhë kryeministër nga koalicioni fitues, i cili do të zgjedhë ministrat e tij, gjegjësisht do të paraqitet një bashkëjetesë e presidentit dhe kryeministrit nga kampet e kundërta politike.

Në rast se rezultati nga zgjedhjet të jetë shumicë relative në parlament (230 vende të deputetëve), fituesi do të duhet të lidhë aleanca që të mundësohet miratim i ligjeve dhe funksionimi i parlamentit. fc/

Fotografia: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR