• e shtunë, 23 nëntor 2024

Në Ditën ndërkombëtare të gruas UT-ja organizoi tribunën e muzikologjisë

Në Ditën ndërkombëtare të gruas UT-ja organizoi tribunën e muzikologjisë
Shkup, 8 mars 2022 (MIA)- Në Universitetin e Tetovës sot u shënua 8 Marsi, Dita ndërkombëtare e gruas. Me këtë rast u mbajt tribuna e muzikologjisë, me moton “Gratë në kulturë” e mbështetur nga Ministria e Kulturës e vendit tonë. Manifestimin e shpalli të hapur profesoresha e Fakultetit të Arteve, Besiana Mehmedi e cila shprehu falënderime për udhëheqësit e Universitetit të Tetovës dhe Ministrinë e Kulturës për mbështetjen që vazhdimisht u japin grave artiste. Pjesëmarrësve në këtë manifestim, me fjalë rasti ju drejtua edhe Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Reshat Qahili. Ai tha se Universiteti i Tetovës, përpos shënimit të festave të tjera edhe festës së 8 Marsit i kushton po të njëjtën rëndësi dhe se përherë e shënojnë në mënyrë institucionale. “Ideja për shënimin e Ditës ndërkombëtare të grave lindi për herë të parë në fillim të shekullit XX, në periudhën e industrializimit të shpejtë dhe të ekspansionit ekonomik, kur për shkak të kushteve të rënda të punës shpesh organizoheshin protesta. Më 8 mars të vitit 1857, femrat e punësuara në industrinë e veshjeve dhe të tekstilit demonstruan publikisht në Nju-Jork. Punëtoret e tekstilit protestonin për shkak të kushteve të rënda të punës dhe pagave të ulëta. Demonstratat i shpërndau policia. Dy muaj më vonë, po këto femra themeluan edhe sindikatën. Më 8 mars, protesta organizoheshin edhe në vitet vijuese. Më e njohur prej tyre është protesta e vitit 1908, kur 15.000 femra marshuan në Nju-Jork duke kërkuar orar pune më të shkurtër, paga më të mira dhe të drejtë vote”, theksoi Rektori i UT-së, Prof. Dr. Reshat Qahili. Këtë manifestim e përshëndeti edhe sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Valmir Aziri. Ai tha se është kënaqësi që sot artistet shqiptare nga Republika e Maqedonisë së Veriut na bëjnë krenar gjithkund nëpër botë. “Hapja e Universitetit të Tetovës në vitin 1994 dhe krijimi i Fakultetit të Arteve krijoi një moment të ri për artistet shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Lufta e vitit 2000, ashtu siç imponoi përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve në institucionet shtetërore, detyrimisht që krijoi një proces paralel të përfaqësimit të femrës shqiptare në institucione. Sot, femra shqiptare është e pranishme në të gjitha segmentet e ekzekutivit dhe të qeverisjes, është përfaqësuese legjitime në Parlamentin, në qarqet akademike dhe realisht, këto 20 vitet e fundit është bërë shumë punë e mirë, por sfidat e së ardhmes janë të përbashkëta dhe ne bashkërisht do të sfidojmë çdo pengesë dhe do të punojmë bashkë për të eliminuar çdo lloj padrejtësie, deri në krijimin e një ambienti mos diskriminues, dhe krejt për fund, dëshiroj që t’ua uroj këtë ditë të shënuar, të ju uroj shëndet dhe suksese në jetë”, tha Aziri. Në këtë ngjarje eksperiencat e tyre jetësore i rrëfyen edhe shumë emra të njohur të kulturës shqiptare, në mesin e të cilave, sopranoja e operës shqiptare Edit Mihali, profesoresha e muzikologjisë Zana Shuteriqi, pianistja Rudina Ciko, aktorja strugane Ilire Vinca, prodekania për shkencë e Fakultetit të Arteve, Prof. Inord. Jëlldëz Asani, profesoresha e Fakultetit të Arteve, Prof. Inord. Arjana Koriu – Grubi, si dhe dirigjentja e parë femër shqiptare në Maqedoni Agona Çupi. Në kuadër të këtij manifestimi u realizua edhe një program artistik, ku performuan artistët: Besiana Mehmedi, Pranvera Hoxha, Alba Muçolli, Nita Grubi, Zana Zumeri dhe Flamure Abdullahu. Për panelistët dhe artistët pjesëmarrës në këtë aktivitet Rektori i UT-së, Prof. Dr. Reshat Qahili, në shenjë respekti për kontributin e tyre u ndau nga një mirënjohje, kurse grave të tjera pjesëmarrëse në këtë manifestim iu ndanë lule.  

QËNDRONI TË LIDHUR