Në ditën e sotme
- 1639. - Astronomi Xheremi Horroks ishte i pari që vështroi orbitën (kalimin rreth diellit) të planetit Afërdita.
- Post By Sara Ademi
- 09:04, 24 nëntor, 2024
24 nëntor 2023 (MIA)
1639. - Astronomi Xheremi Horroks ishte i pari që vështroi orbitën (kalimin rreth diellit) të planetit Afërdita.
1848. - Lindi Lili Leman, sopranoja e njohur gjermane. E famshme për repertorin e saj shumë të gjerë, ajo këndoi në shfaqjen e parë të ciklit të Vagnerit "Der ring des Niebelungen".
1859. - Botohet vepra e diskutuar "Origjina e llojeve" e Çarls Darvinit. Teoria revolucionare e tij për evolucionin shkaktoi diskutime të mëdha dhe shumë njerëz të kishës u frikësuan se ky libër do të minonte besimin fetar.
1887. - Pushoi së botuari revista mujore "Flamuri i Arbrit", themeluar nga De Rada në vitin 1883 në Maki dhe Kozencë. Pavarësisht censurës turke e greke ajo u lexua gjerësisht nga shqiptarët në Ballkan.
1916. - Vdiq sër Hiram Maksim, shpikës britanik me origjinë amerikane, i njohur për mitralozin që mban emrin e tij.
1929. - Vdiq politikani francez Zhorzh Klemenso'. I njohur si "Tigri", ai ishte dy herë kryeministër i Francës dhe kryesoi delegacionin e këtij vendi në konferencën e paqes në Versajë në vitin 1919.
1933. - Vdiq në Kajro poeti, dramaturgu Milo Duçi, i njohur me pseudonimin Lulo Malësori. Ai është autori i të paktën 6 pjesëve teatrale. Pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Kajro, duke mbështetur Lëvizjen kombëtare Shqiptare. Në vitin 1897 u bë kryetar i shoqërisë "Vëllazëria", qendër ku mblidheshin shqiptarët në Egjipt. Është autor i gazetës "Besa besë" dhe i revistës mujore në gjuhën shqipe "Toska". Me formimin e qeverisë së parë të Shqipërisë së pavarur, Duçi u kthye në atdhe, ku botoi për një kohë të shkurtër nga qershori deri në gusht 1914 gazetën e përdyjavshme "Zana" në Durrës. Zhvillimet politike në Shqipëri e detyruan të emigrojë sërish në Kajro, ku edhe vdiq.
1944. - Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kryeministri polak në mërgim, Stanislav Mikolajçik, jep dorëheqjen në shenjë proteste për mungesën e ndihmës dhe mbështetjes ndaj kryengritjes së Varshavës.
1945. - U krijua Gjyqi Ndërkombëtar i Drejtësisë në bazë të artikullit 92 të Kartës së Kombeve të Bashkuara për rivendosjen e Gjyqit të Përhershëm të Drejtësisë Ndërkombëtare me qendër në Hagë të Holandës.
1969. - Nënkoloneli i ushtrisë amerikane William L.Kallei, i akuzuar për masakrën e 100 civilëve në fshatin vietnamez Mi Lai në mars të vitit 1968, urdhërohet të dalë para trupit gjyqësor ushtarak.
1976. - Një tërmet i fuqishëm godet provincën Van në Turqi. Si rezultat i shkatërrimit të qytetit Muradije dhe qindra fshatrave rreth tij, 5291 vetë gjetën vdekjen, mbi 5000 vetë u plagosën dhe mbi 50 000 të tjerë mbetën pa shtëpi.
1991. - Ylli i muzikës pop, Fredi Mërkuri, lider i grupit "Kuin" vdes nga AIDS.
1992. - Nje aeroplan "Boing 737" i shoqërisë kineze, rrëzohet në jugperëndim të vendit, duke shkaktuar vdekjen e 141 personave në bord. Kjo ishte katastrofa më e rëndë në historinë e aviacionit kinez.
1998. - Gjenerali Emil Lahud bën betimin si president i parë i Libanit, që nga mbarimi i luftës civile 15 vjeçare.
1999. - Shtatë rebelë të Partisë së Punonjësve të Kurdistanit u vranë gjatë luftimeve me ushtrinë turke në krahinën e Mardin (juglindje të Turqisë).
2000. - Në Zagreb, Republika e Maqedonisë e parafuan Marrëveshjen për stabilizim dhe asocim të Republikës së Maqedonisë me vendet e Bashkimit Evropian.
2000. - Një funksionare e organizatës për koordinimin e ndihmës humanitare, Carolyn Mcaskie, deklaroi se për OKB-në nuk është momenti i përshtatshëm të ndërhyjë në Çeçeni për arsye të sigurimit.
2004. - Vdiq letrari Artur Hejli, romanet e të cilit janë përkthyer në 38 gjuhëdhe janë publikuar në 40 vende. Veprat: "Aerodromi", "Mbingarkesa" dhe "Detektiv".