• e shtunë, 23 nëntor 2024

Në Dibër hapet festivali "Teatri shqiptar në Maqedoni"

Në Dibër hapet festivali

Dibër, 25 shtator 2023 (MIA) - Me shfaqjen "Fluturimi mbi teatrin shqiptar" në regji të Erson Zimberajt, ndërkaq në interpretim të teatrit shqiptar nga Kumanova, mbrëmë në Qendrën e kulturës në Dibër filloi edicioni i 22-të i festivalit "Teatri shqiptar në Maqedoni".

Para publikut të shumtë foli drejtori i festivalit, Ylber Nuredini, i cili e shpalli të hapur manifestimin. Siç tha Nuredini, me zgjedhjen e shfaqjeve edhe ky edicion është i bindur se do ta konfirmojë suksesin e vet.

"Falënderim i madh për të gjithë të cilët na besuan dhe kontribuuan në përgatitjen, organizimin dhe mbajtjen e festivalit. Falënderim i posaçëm për Ministrinë e Kulturës së Republikës së Maqedonisë, Komunën e Dibrës, Qendrën e kulturës dhe donatorët e tjerë me mbështetjen e të cilëve mbijeton festivali. Edhe kësaj radhe, do ta përsëris kërkesën që me vite prapa e parashtroj, festivali të institucionalizohet dhe sinqerisht shpresoj se përfundimisht do të realizohet, sepse Dibra e meriton këtë", tha Nuredini.

Ministria e Kulturës, këtë vit ndau 900 mijë denarë, përderisa Komuna e Dibrës, këtë manifestim e mbështeti me 370 mijë denarë.

Në gjashtë mbrëmjet e ardhshme të festivalit do të prezantohen teatro dhe grupe nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe nga Kosova, prej të cilave një shfaqje është jashtë konkurrencës. Në mbrëmjen e fundit të festivalit do të ndahen çmimet për shfaqjen më të mirë, regjinë, aktorin dhe aktoren më të mirë.

Nesër para publikut do të prezantohet teatri tetovar me shfaqjen "Armiku i popullit" në regji të Arben Kumbaros. ab/

Foto: МIА

QËNDRONI TË LIDHUR