• e enjte, 26 dhjetor 2024

Në Bruksel vazhdon skriningu për Kapitullin 11 - "Bujqësi dhe zhvillim rural"

Në Bruksel vazhdon skriningu për Kapitullin 11 -

Bruksel, 19 tetor 2023 (MIA) - Në Bruksel sot vazhdon skriningu dypalësh për Kapitullin 11  - "Bujqësi dhe zhvillim rural", i cili është pjesë e Klasterit 5 - "Resurse, bujqësi dhe kohezion". Skriningu filloi të hënën dhe duhej të zgjaste deri dje, por për shkak të sulmit të armatosur në Bruksel të hënën në mbrëmje, gjatë të cilit ishin vrarë dy shtetas suedezë, ndërsa i treti ishte plagosur, vazhdimi i tij ishte shtyrë për sot.

Në ditën e parë të skriningut, siç informoi korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Lupço Nikollovski para përfaqësuesve të Komisionit Evropian nga Drejtoria e Përgjithshme e Bujqësisë dhe Zhvillim Rural dhe nga Drejtoria për Mirëqenie dhe Zgjerim, i ka prezantuar zgjidhjet më të reja ligjore, kornizën ekzistuese ligjore, kapacitetet institucionale, si dhe mundësitë dhe sfidat me të cilat përballen bujqësia dhe zhvillimi rural në Maqedoni.

Zëvendëskryenegociatorja e vendit me BE-në dhe sekretare shtetërore në Sekretariatin për Çështje Evropiane (SÇE), Drita Abdiu Halili, shprehu falënderim për Komisionin Evropian për mbështetjen e deritanishme në zhvillimin e bujqësisë dhe zhvillimit rural në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se vendi është lider në rajon sa i përket shfrytëzimit të fondeve nga programi IPARD.

"Jemi krenarë që e nënshkruam Marrëveshjen Financiare për Programin IPARD 3 në fillim të tetorit. Krahas kësaj, realizimi i Programit IPARD 2 është mbi 98 për qind. Kjo na jep nxitje dhe shpresë se do të kemi realizim 100 për qind të Programit IPARD 3", theksoi Abdiu - Halili. 

Kapitulli 11 përfshin numër të madh të rregullave detyruese, të cilët në pjesën më të madhe janë drejtpërdrejtë të zbatueshme dhe kanë të bëjnë me zbatimin e tyre efektiv dhe kontroll nga administrata publike, si pjesë përbërëse e funskionimit të politikës së përbashkët bujqësore të BE-së.

Pjesë e delegacionit të Maqedonisë në këtë skrining, përveç përfaqësuesve nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, e cila është bartëse e këtij kapitulli dhe të Sekretariatit për Çështje Evropiane, janë edhe përfaqësues nga Agjencia për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Inspektorati Bujqësor Shtetëror, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korruspionit.

Sipas SÇE, gjatë periudhës së kaluar vendi punoi në transpozimin e legjislacionit relevant të BE-së, si dhe në fuqizimin e kapaciteteve administrative dhe operative, me çka është miratuar edhe Strategjia Nacionale për Bujqësi dhe Zhvillim Rural  2021-2027, e cila është në përputhje me Politikën e përbashkët bujqësore të BE-së për periudhën 2023 -2027. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR