• e enjte, 26 dhjetor 2024

Në aksidentin hekurudhor në Greqi deri më tani zyrtarisht janë konfirmuar 57 viktima

Në aksidentin hekurudhor në Greqi deri më tani zyrtarisht janë konfirmuar 57 viktima

Athinë, 2 mars 2023 (MIA) - Numri i të vdekurve në aksidentin hekurudhor në Greqi u rrit në 57 persona, sipas brifingut zyrtar të zëdhënësve të policisë greke dhe shërbimit zjarrfikës grek, deri në orën 19:15 sipas kohës lokale.

Zëdhënësja e policisë greke, Konstantina Dimolidu sqaroi se deri më tani janë raportuar 56 persona si të zhdukur, ndërsa janë konfirmuar 57 të vdekur, gjegjësisht një më shumë se sa janë raportuar, ndërsa në spitale janë hospitalizuar 48 udhëtarë, prej të cilëve gjashtë janë në repartet e kujdesit intensiv, përderisa paralelisht po vijon identifikimi i viktimave.

"Deri tani në policinë greke janë deklaruar zyrtarisht si të zhdukur 56 pasagjerë. Theksohet 'deri më tani' pasi ekziston mundësia që dikush të ketë qenë në tren dhe të mos jetë raportuar i zhdukur nga të afërmit apo miqtë. Deri më tani, numri i konfirmuar i personave të vdekur që janë nxjerrë është 57. Gjegjësisht një më shumë se ata që raportohen në listë", tha Dimolidu.

Në lidhje me identifikimin e viktimave, sqaroi se bëhet përmes ADN-së, janë marrë 55 mostra nga trupat, 52 mostra nga familjarët e udhëtarëve dhe 26 mostra nga pjesët e gjetura të trupave të njeriut. 

"Deri më tani janë kryer 24 identifikime të kufomave nga Drejtoria për Hetimet Kriminalistike, 20 me analizë të ADN-së, dy me analizë të ADN-së dhe gjurmë gishtash dhe dy vetëm me metodën e analizës së gjurmëve të gishtërinjve. Edhe pse procesi i ADN-së zakonisht zgjat disa ditë, po punohet për të përfunduar deri nesër", sqaroi zëdhënësja e policisë greke dhe shtoi se procesi i informimit të të afërmve të viktimave të identifikuara tashmë ka nisur.

Zëdhënësi i Shërbimit Zjarrfikës, Vasilios Vatrakojanis informoi se operacioni për kërkimin e vendit të aksidentit hekurudhor vazhdon edhe në orët në vijim. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR