• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Murtezani - Strand në Helsinki: Përmbushja e kritereve reformuese, por edhe sigurimi i perspektivës së qartë të BE-së për rajonin

Murtezani - Strand në Helsinki: Përmbushja e kritereve reformuese, por edhe sigurimi i perspektivës së qartë të BE-së për rajonin

Shkup, 22 nëntor 2024 (MIA) - Perspektivat e Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, si dhe rëndësia e procesit të zgjerimit të BE-së si qëllim strategjik për stabilitetin dhe progresin e rajonit, ishin tema e bisedës në takimin e sotëm në Helsinki mes Ministrit të Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani dhe Ministrit të Çështjeve Evropiane të Republikës së Finlandës, Joakim Strand.

Ministri Murtezani, siç kumtuan nga MÇE-ja, u falënderua për mbështetjen parimore dhe të vazhdueshme të Finlandës për të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut, e cila nuk manifestohet vetëm me mbështetjen politike, por edhe përmes ndihmës konkrete teknike dhe eksperte. Murtezani nënvizoi rëndësinë e Tuining projekteve të realizuar, të cilat deri më tani përfshijnë shtatë nisma të suksesshme me pjesëmarrjen e ekspertëve finlandezë.

Murtezani theksoi se Maqedonia e Veriut fuqishëm është e përkushtuar në rrugën evropiane dhe se progresi i vendit në proceset reformuese meriton mbështetje të vazhdueshme nga shtetet anëtare të Unionit.

 

Nga Ministria theksuan se bashkëbiseduesit diskutuan për aktivitetet e radhës në kontekst të reformave në sferat kyçe, si sundimi i së drejtës, përforcimi i institucioneve demokratike dhe administratës publike.

Murtezani informoi për progresin e Maqedonisë së Veriut në harmonizimin me standardet evropiane, si dhe gatishmërinë e vendit për hapjen e Klasterit të parë “Vlerat Themelore” në negociatat me BE-në.

Bashkëbiseduesit shprehën interes për intensifikimin e bashkëpunimit në kuadër të Tuining projekteve të reja, të cilat do të mbulojnë fushat e reformave në administratën publike, zhvillimin e mëtejshëm të digjitalizimit dhe përforcimin e kapaciteteve organizative dhe institucionale për procesin e negociatave për aderim në Union.

Murtezani dhe Strand konstatuan se përmbushja e kritereve reformuese është kyçe, por edhe se procesi i aderimit drejt Unionit duhet të mbetet dinamik dhe i kapshëm, për të ruajtur motivimin e qytetarëve dhe qeverive të vendeve kandidate. ls/

Foto: Ministria e çështjeve evropiane 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR