Mucunski: Vendimi i SHBA-së për regjimin e vizave është vetëm për vizat e emigrantëve, jo për të tjerët (PLT)
- Post By Sara Ademi
- 13:21, 15 janar, 2026
Shkup, 15 janar 2026 (MIA) - Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë pezulluar procedurat për lëshimin e vizave për emigrantë, por kjo nuk ndikon në procedurat tjera për studentët, ekonomistët, turistët etj, sqaroi sot ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski.
Pas takimit me menaxhmentin e Odës Ekonomike për Teknologji informatike dhe Komunikuese - MASIT, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve në lidhje me vendimin e Departamentit të Shtetit për ngrirje të përkohshme të procesit për lëshimin e vizave të emigrantëve për 75 vende, mes të cilave edhe për Maqedoninë, ai theksoi se bëhet fjalë për pezullimin e procedurave të lidhura me vizat e emigrantëve.
"Jo ndërprerje, jo listë të zezë, por pezullim për procedurat e vizave të emigrantëve. Kjo nuk ndikon në procedurat tjera për lëshimin e vizave për SHBA-në. Nëse jeni ekonomist që dëshiron të udhëtojë në SHBA, lirshëm mund të aplikoni për vizë", theksoi Mucunski duke njoftuar se kjo vlen edhe për studentët, turistët...
Ai tha se janë në komunikim me Ambasadën e SHBA-së në Shkup dhe se ambasada e Maqedonisë në Uashington komunikon me Departamentin e Shtetit amerikan dhe në pajtim me informatat numri më i vogël i aplikimeve që i ka nga shtetasit tanë janë për atë lloj të vizave, dhe në përgjithësi, është punuar për qytetarët e kategorisë më të moshuar.
Prioritet i vendit tonë në pjesën e politikës së vizave me vendet tjera, theksoi Mucunski "nuk janë vizat e emigrantëve, por vizat me synim për zhvillimin e shtetit, ndërsa zhvillimi i vendit do të thotë politikë më të mirë të vizave me ekonomistët, shkencëtarët, studentët, për të gjithë qytetarët tanë dhe këtu nuk ka kurrfarë ndryshimi në politikën e vizave".
"Perceptivisht, kjo më kujton të gjithë historinë me tarifat. Kur dolën të dhënat e tarifave, dëgjova kritika se ishim ndër vendet me tarifat më të larta, por kur arritëm të ishim ndër vendet me tarifat më të ulëta për industritë që janë të rëndësishme për ne, kur arritëm të ruanim vendet e punës në kompani, nuk i dëgjoj të njëjtët kritik askund", tha Mucunski.
Sipas tij, në periudhën e ardhshme pritet zgjidhje e çështjeve shumëvjeçare.
"Le të lëmë pak për kohën dhe komunikimin tonë, për faktin se kemi bashkëpunim të shkëlqyer me partnerin tonë strategjik, dhe ajo që mund të them është se në periudhën e ardhshme, ndoshta në gjashtë muajt e ardhshëm, do të befasoheni pozitivisht nga ajo që mund të ndodhë në zhvillimin e politikës së vizave të SHBA-së ndaj vendit tonë, domethënë, mund të fillojmë të mbyllim çështje që kemi tentuar t'i mbyllim për 20 vjet", tha Mucunski.
Ai përsëriti se prioritetet e vendit janë biznesi, shkenca, turizmi dhe studentët, dhe vendimi për regjimin e vizave të SHBA-së nuk i prek ato.
"Kjo prek vetëm vizat e emigrantëve, të cilat janë më të voglat për sa i përket aplikimeve nga vendi ynë për viza në SHBA. Ne kemi një marrëdhënie të tillë me SHBA-në saqë zgjidhim të gjitha çështjet e këtij lloji, dhe ju e keni parë këtë, veçanërisht për sa i përket tarifave, kemi ndër këstet më të mira tarifore jo vetëm në Evropë, por edhe më gjerë, dhe presim të marrim kushte edhe më të mira pas diskutimeve tona në periudhën e ardhshme", theksoi Mucunski.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme tha se për këtë çështje tashmë është diskutuar dhe se bisedimet do të vazhdojnë.
"Është e vërtetë, e kemi diskutuar, është jokorrekte nga ana ime që unë t'i jap argumentet të cilat vijnë nga ana e tyre. Ne jemi vendi i vetëm anëtar i NATO-s, ne jemi vendi i vetëm nga rajoni i icli pas çështjes së vizave të emigrantëve është në këtë grup. Diskutimi do të vazhdojë në periudhën e ardhshme. Do të përsëris nuk është kurrfarë liste e zezë, bëhet fjalë për pezullimin e vizave të emigrantëve. Në lidhje me të gjtiha kategoritë tjera politika mbetet e njejtë", tha Mucunski.
Viza e emigrantëve, sipas tij, nuk është prioritet i Qeverisë dhe qytetarëve të Maqedonisë, por prioritet është politika e vizave që i prek shkencëtarët, ekonomistët tanë.
"Këtu nuk ka kurrfarë ndryshimi. Ndërsa në lidhje me këtë çështje gjithashtu do të ketë dialog, do të ketë zgjidhje. Nëse shtetasit e Maqedonisë ilegalisht qëndrojnë në SHBA dhe SHBA dëshiron të deportojnë shtetas të Maqedonisë për ne nuk ka kurrfarë dileme se ne kemi obligim t'i pranojmë ata shtetas. Këtë e kemi diskutuar me SHBA-në në lidhje me shtetatis tanë", tha Mucunski.
Në lidhje me njoftimin se në periudhën e ardhshme mund të presim zgjidhje pozitive nga bisedimet me Uashingtonin zyrtar, i pyetur nëse mund të pritet edhe zgjidhje pozitive me Bullgarinë, ai theksoi se kjo çështje më shumë ndikon ndaj perspektivave të vendit për në BE.
"Sigurisht, SHBA, si partneri ynë strategjik, kujdesen për stabilitetin rajonal. Çështjet për të cilat mendoj se duhet të presim lajme pozitive në gjashtë muajt e ardhshëm janë më shumë të natyrës dypalëshe, dhe jo nga ky kontekst në lidhje me çështjen me Bullgarinë. Në periudhën e fundit, ka pasur interes serioz jo vetëm nga ana jonë, por edhe nga BE-ja dhe disa shtete anëtare për një dialog të intensifikuar me Bullgarinë, për fat të keq Sofja nuk është përgjigjur me një nivel po aq të lartë dëshire për dialog. Atje, vendi aktualisht po hyn së shpejti në një proces zgjedhor dhe duhet të jemi të kujdesshëm që të mos lejojmë që procesi zgjedhor në Bullgarinë fqinje ta dëmtojë këtë proces, për të cilin sigurisht që duhet të gjendet një zgjidhje", tha Mucunski.
I pyetur për pozicionin e vendit tonë për Grenlandën dhe nëse do të japim mbështetje për SHBA-në si partneri ynë strategjik Mucunski tha se beson që do të gjendet zgjidhje në pajtim me të drejtën ndërkombëtare.
"Lidhur me atë çështje e ndjekim gjendjen me kujdes, tashmë ka diskutim edhe në kaudër të NATO-s se çfarë pozite do të marrë shteti. Un ë sinqerisht dëshiroj të besoj se do të gjendet ndonjë zgjidhje e cila është në pajtim me të drejtën ndërkombëtare, ndërkaq lidhur me veprimet konkrete apo hipotetike, nuk mund të përgjgijem", tha Mucunski.
Shefi i diplomacisë theksoi se çdo pozicionim i politikës sonë të jashtme shihet përmes prizmit të shembullit konkret, duke vlerësuar se menaxhojmë me sukses në kohë të ndërlikuara gjeopolitike.
"Lidhur me çështjen për Kubën, ishin disa vende evropiane, jo dy apo tri, por më shumë të cilat votuan apo njejtë siç votuam ne apo ishin të përmbajtura, që do të thotë më shumë vende dhanë mbështetje. Ndërkaq lidhur me çdo pyetje tjetër ne duhet të konsultohemi me SHBA-në, por gjithashtu edh eme BE-në sepse mund të ekzistojë çështje ku ka interes të politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, kështu që ne me kujdes menaxhojmë me ato procese", tha Mucunski.
Sipas tij, në Raportin e fundit të Komisionit evropian janë marrë parasysh një pjesë e madhe e pozitave tona në planin e jashtëm dhe votimi në fushën multilaterale dhe se lëvdata më e madhe për ne ishte në pjesën e politikës së jashtme dhe pozicionimin e mirë strategjik të shtetit.
"Çdo kritikë është e mirëseardhur dhe duhet të diskutojmë, por për shumë votime në fushën multilaterale dëgjova kritikë nga ekspertët të cilët deri dje thonin se qëllimi kyç i yni është të jemi të harmonizuar me SHBA-në, ndërkaq tani zhvillojnë retorikë anti SHBA në opinionin, ndërsa paralelisht BE-ja e lavdëron pozicionimin strategjik të shtetit tonë. Kjo do të thotë se ia kemi dalur të menaxhojmë me sukses në këto kohë të ndërlikuara gjeostrategjike", vlerësoi ministri Mucunski. sa/ab/
Foto: MIA