• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Mucunski: Si anëtare e besueshme e NATO-s mbetemi të përkushtuar në fuqizimin e sigurisë kolektive

Mucunski: Si anëtare e besueshme e NATO-s mbetemi të përkushtuar në fuqizimin e sigurisë kolektive

Shkup, 12 korrik 2024 (MIA) - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunksi, bashkë me një delegacion qeveritar, të kryesuar nga kryeministri Hristian Mickoski, mori pjesë në Samitin e NATO-s, që u mbajt nga data 9 deri në datën 11, në Uashington. 

Në fokus të temave, siç bëri të ditur MPJ, ishin sfidat aktuale të sigurisë, me theks të veçantë në mbështetjen për Ukrainën, fuqizimin e mbrojtjes dhe parandalimin e Aleancës, si dhe avancimin e bashkëpunimit me partnerët nga Indo-Paqësori. 

"Aleatët e përshëndetën arritjen 2 për qind të PBB-së për investime në mbrojtje nga ana e 23 vendeve anëtare të Aleancës, në mesin e të cilave edhe Maqedonia e Veriut. Vendi këtë vit e tejkaloi pragun e përmendur dhe pritet që i njëjti të rritet në periudhën në vijim. Me këtë dëshmojmë se jemi anëtare e besueshme e NATO-s, që në mënyrë aktive kontribuon për fuqizimin e sigurisë kolektive", bëhet e ditur në kumtesë. 

Në Samit, siç bëjnë të ditur nga MPJ, ishte riafirmuar mbështetja e fuqishme dhe e palëkundur për Ukrainën, duke e vlerësuar agresionin rus si shkelje brutale të rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla. 

"Njëherësh, ishte marrë vendim për pako për mbështetje praktike për Ukrainën, si dhe angazhim për ndihmë afatgjate të sigurisë së vendit. Maqedonia e Veriut mbetet e fuqishme në qëndrimin për mbështetje të integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës, si dhe sigurimin e ndihmës për popullin ukrainas derisa është e nevojshme", bëhet e ditur në kumtesë. 

Në takime ishte theksuar nevoja e fuqizimit të bashkëpunimit mes NATO-s dhe BE-së në vendet e Ballkanit Perëndimor, që përfaqëson garanci për sigurinë rajonale dhe gjithpërfshirëse transatlantike. Gjatë kësaj, ishte theksuar se vazhdimi i politikës së dyerve të hapura të NATO-s dhe zgjerimi i Bashkimit Evropian janë mjetet më të mira për arritjen e paqes së përhershme dhe garantimin e proceseve demokratike në hapësirat tona. 

"Samiti i NATO-s ishte gjithashtu mundësi e shkëlqyer për të rishikuar perspektivat për thellimin e bashkëpunimit me vendet e Indo-Paqësorit, gjë që është e rëndësishme në kontekstin e ndryshuar gjeopolitik. Forcimi i lidhjeve me Australinë, Japoninë, Korenë e Jugut dhe Zelandën e Re do të kontribuojë në forcimin e Aleancës dhe sigurimin e një përgjigjeje të fortë dhe vendimtare ndaj sfidave në rritje që lindin nga bashkëpunimi midis aktorëve autoritarë", thonë nga MPJ.

Në kuadër të vizitës së punës në Uashington, Mucunski ka realizuar disa takime, ndërsa pas përfundimit të tyre, ai udhëton për Nju-Jork, ku do të ketë takim me përfaqësues të diasporës së Maqedonisë së Veriut dhe takime në drejtim të fuqizimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe promovimit të vendit si destinacion atraktiv për investime të huaja. fc/

Fotografia: Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme

 

QËNDRONI TË LIDHUR