• e shtunë, 23 nëntor 2024

Mucunski në takimin e IEQ-së: Fokusi në zgjerimin e BE-së, bashkëpunimin rajonal dhe mbështetjen për Ukrainën

Mucunski në takimin e IEQ-së: Fokusi në zgjerimin e BE-së, bashkëpunimin rajonal dhe mbështetjen për Ukrainën

Shkup, 20 nëntor 2024 (MIA) - Ministri për Punë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski sot mori pjesë në takimin e ministrave të Punëve të Jashtme të Iniciativës së Evropës Qendrore (CEI) në Tiranë i cili u mbajt në kuadër të kryesimit shqiptar të iniciativës.

Në fokus të takimit është vendosur zgjerimi i Bashkimit Evropian në kuadër të rrethanave të reja gjeopolitike dhe agresionit rus ndaj Ukrainës, pasojat e të cilit reflektohen si në sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe global, kumton MPJ.

Ministrat konfirmuan rolin e IEQ-së si një platformë e rëndësishme për zgjidhjen efektive të sfidave rajonale dhe forcimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët.

Mucunski në fjalimin e tij theksoi se bashkëpunimi rajonal është model kyç për nxitjen e procesit të integrimeve evropiane i cili është thelbësor për mbështetjen e paqes, sigurisë dhe zhvillimit ekonomik në kontinent. Ai theksoi se vonimi i procesit të zgjerimit mund të dëmtojë seriozisht besueshmërinë e Bashkimit Evropian në rajon.

"Frika nga një proces tjetër potencialisht i gjatë dhe i paparashikueshëm vetëm sa e rrit më tej zhgënjimin e qytetarëve tanë. Me shumë të panjohura rreth vëllimit dhe kohës së anëtarësimeve të ardhshme, çdo vonesë e mëtejshme do të kishte një ndikim shkatërrues në besueshmërinë e BE-së në rajon", potencoi ministri Mucunski.

Ministri iu referua rolit të IEQ-së, rëndësisë së bashkëpunimit rajonal, partneritetit të fuqishëm të Aleancës në kuadër të NATO-s dhe mbështetjes për Ukrainën. 

"Jemi plotësisht të përkushtuar për intensifikimin e bashkëpunimit, jo vetëm në nivel ndërqeveritar dhe parlamentar, por edhe ndërmjet organizatave tona joqeveritare, rinisë, institucioneve shkencore, bashkësive të biznesit dhe autoriteteve lokale", shtoi Mucunski, duke theksuar nevojën për përpjekje të përbashkëta për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në kuadër të IEQ-së. rq/

Foto: MPJdheTJ

 

QËNDRONI TË LIDHUR