Mucunski: Në kontekstin kompleks gjeopolitik në Evropë, ne duhet të jemi një anëtare e përgjegjshme e NATO-s
- Si anëtare e NATO-s, ne duhet të jemi një vend i përgjegjshëm, veçanërisht në një periudhë të një konteksti vërtet kompleks gjeopolitik në kontinentin ku jetojmë, tha sot nga Brukseli ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës, Jens Stoltenberg në selinë e Paktit.
Bruksel, 25 qershor 2024 (MIA) - Si anëtare e NATO-s, ne duhet të jemi një vend i përgjegjshëm, veçanërisht në një periudhë të një konteksti vërtet kompleks gjeopolitik në kontinentin ku jetojmë, tha sot nga Brukseli ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës, Jens Stoltenberg në selinë e Paktit.
"Nuk është çështja nëse duhet, por duhet të vazhdojmë me investime të tilla. Kjo është në interes të Aleancës në të cilën jemi anëtarë, por besojmë se është edhe në interesin tonë kombëtar, deklaroi Mucunski duke konfirmuar përkushtimin e vendit për përmbushjen e detyrimit për ndarjen e mjeteve për Buxhetin e Mbrojtjes në nivel të të paktën dy për qind të PBB-së kombëtare.
Mucunski shprehu kënaqësinë për takimin me Stoltenberg, të cilin e vlerësoi si pozitiv dhe të përzemërt, dhe në të cilin konfirmoi angazhimet e Qeverisë së re, të udhëhequr nga kryeministri Hristijan Mickoski, lidhur me anëtarësimin tonë në NATO, si mbështetja e politikës për mbrojtje dhe parandalim dhe mbështetja e vazhdueshme e Ukrainës.
Shefi i diplomacisë shtoi se ai dhe Stoltenberg kanë biseduar për samitin e ardhshëm të NATO-s në Uashington, i cili do të shënojë 75 vjetorin e formimit të Aleancës dhe ku në krye të delegacionit tonë do të jetë kryeministri Mickoski.
"Ne po planifikojmë pjesëmarrje aktive ku do të merren vendimet kyçe në lidhje me të ardhmen e Aleancës dhe sigurisht që do të jemi palë aktive në kontributin në ato politika të ardhshme", shtoi Mucunski.
Ai thekson se përveç përputhshmërisë 100 për qind të vendit me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, po aq e rëndësishme është edhe ajo që bën si vend i vogël si anëtar i NATO-s.
"Mbrojtja e rendit të së drejtës publike ndërkombëtare është shumë domethënëse. Ajo që po ndodh në Ukrainë nga ky këndvështrim, por edhe nga pikëpamja e sigurisë, nuk duhet të lejohet të ndodhë më kurrë. Angazhimet tona, politike dhe të sigurisë, do të vazhdojnë në drejtim të mbështetjes së Ukrainës dhe përfundimit të këtij konflikti të trishtuar ushtarak sa më shpejt të jetë e mundur", përfundoi Mucunski.
Vizitën dyditore të punës në Bruksel ministri Mucunski do ta vazhdojë me takime me përfaqësues të Bashkimit Evropian. ls/
Foto: MIA