• e hënë, 31 mars 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Mucunski: Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut janë themeli i politikës sonë të jashtme

Mucunski: Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut janë themeli i politikës sonë të jashtme

Shkup, 24 shkurt 2025 (MIA) - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski sot mbajti fjalim në Segmentin e nivelit të lartë të sesionit të 58-të të Këshillit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (KDNJ) në Gjenevë, ku theksoi se mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut janë themeli i politikës sonë të jashtme.

Në fjalimin e tij, siç kumtoi Ministria, Mucunski theksoi se Këshilli për të Drejtat e Njeriut është forumi më i rëndësishëm për përballje me sfidat që pengojnë realizimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në mbarë botën. Ai theksoi se respektimi i parimeve demokratike, të drejtave të njeriut, dinjitetit njerëzor dhe sundimit të ligjit janë vlera universale që duhet të respektohen nga të gjithë. Në të njëjtën kohë, ai konfirmoi përkushtimin e vendit për arritjen e standardeve më të larta për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe zbatimin e vazhdueshëm të tyre në nivel kombëtar.

"Promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut, si dhe angazhimi për forcimin e bashkëpunimit shumëpalësh për respektimin dhe mbrojtjen e tyre, janë themeli i politikës së jashtme të vendit tonë. Mbetemi të përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, me fokus të veçantë në të drejtat e grave dhe fëmijëve, mbrojtjen e personave me aftësi të kufizuara, si dhe luftën kundër të gjitha formave të diskriminimit dhe parandalimin e shkeljeve të tyre", theksoi Mucunski.

Ai shtoi se Maqedonia e Veriut, si anëtare e Këshillit për të drejtat e njeriut në periudhën 2025-2027, do të mbetet e përkushtuar në mënyrë të vendosur për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe përballjen e duhur me shkeljet e tyre, pavarësisht se ku ato ndodhin.

“Si anëtar i Këshillit, ne mbetemi të përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe tpërballjen e duhur me shkeljet e tyre, pavarësisht se ku ndodhin ato”, theksoi Mucunski, duke shtuar se Këshilli për të Drejtat e Njeriut mbetet një platformë kyçe për diskutimin dhe përballjen me sfidat që vënë në pikëpyetje gëzimin e të drejtave dhe lirive të njeriut në nivel global.

“Kjo është një mundësi që nuk duhet ta humbasim nëse duam veprim më efikas dhe më të përgjegjshëm për Agjendën për të Drejtat e Njeriut”, përfundoi Mucunski në fjalimin e tij.

Në Segmentin e nivelit të lartë të sesionit të 58-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut, i cili do të zhvillohet nga 24 shkurt deri më 4 prill, marrin pjesë krerët e qeverive dhe shteteve, si dhe ministrat e Punëve të Jashtme. Objektivi kryesor i sesionit është riafirmimi i rëndësisë së punës së Këshillit dhe mekanizmave të tij për përballje të plotë me sfidat që ndikojnë në gëzimin e të drejtave dhe lirive të njeriut. ls/

Foto: MPJ

 

QËNDRONI TË LIDHUR