• e mërkurë, 01 prill 2026

Mucunski: Kritikat nga Bullgaria për kinse mosrespektim të të drejtave të pakicave nuk bazohen në fakte, por janë politikë e zhveshur që nuk u shërben dy vendeve

Mucunski: Kritikat nga Bullgaria për kinse mosrespektim të të drejtave të pakicave nuk bazohen në fakte, por janë politikë e zhveshur që nuk u shërben dy vendeve

Shkup, 27 mars 2026 (MIA) - Natyra e bllokadës aktuale dhe të gjitha bllokadat ptenciale lidhen me politikën, jo me esencën. Nëse do të lidheshin me esencën, nuk do të ishim në këtë situatë sepse jemi një vend model për të drejtat e pakicave. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se kritikat nga Bullgaria për të ashtuquajturin mosrespektim të të drejtave të pakicave nuk bazohen në fakte dhe argumente, por janë vetëm politikë e zhveshur që nuk u shërben të dyja vendeve, thotë ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski.

Në emisionin e sontëm në "Top tema", Mucunski tha se për momentin do të ishin të dobishme për vendin tonë bisedime si në nivel bilateral ashtu edhe bashkë me aleatët nga vendet anëtare të institucioneve evropiane për të gjetur një zgjidhje për të dalë nga situata në të cilën, siç tha ai, "jemi së bashku - humbim edhe ne, por edhe Bullgaria pasi Maqedonia nuk po fillon negociatat”.

Ministri nuk konsideron se në këtë moment një protokoll i tretë është rrugëdalje nga situata. Së pari, theksoi ai, duhet të ketë zgjidhje politike dhe ligjore për qëndrimet që Qeveria e Maqedonisë së Veriut i ka vendosur.

Ai theksoi se Qeveria nuk ka konsideruar kurrë se duhet t'i nënshtrohet presionit nga afatet.

"Ne duhet ta zgjidhim këtë situatë sa më shpejt të jetë e mundur, por askush nuk na ka dhënë afate, dhe nëse dikush përpiqet të ushtrojë një presion të tillë mbi ne, nuk do të ketë sukses. Kemi qëndrime të qarta si kristali, thellësisht të lidhura me standardet evropiane dhe të drejtën ndërkombëtare, kërkojmë që kjo të respektohet dhe të na jepet një parashikim. Pjesën tjetër do ta përfundojmë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe do të jemi kandidati më i mirë dhe historia më e fortë përmes së cilës BE do të dëshmojë se zgjerimi është një vendim strategjik për të ardhmen e Evropës", theksoi Mucunski.

Lidhur me vizitën në Bruksel realizuar ditë më parë, ministri informoi se në takimin me komisarin evropian për zgjerim është diskutuar mbi reformat e brendshme të zbatuara nga Maqedonia, përafrimi me politikën e përbashkët të jashtme dhe sigurisë si dhe marrëdhëniet me Bullgarinë.

Siç tha Mucunski, mes institucioneve evropiane dhe disa shteteve- anëtare ekziston një shkallë e lartë e mirëkuptimit dhe respektit për këto qëndrime të Maqedonisë sepse ato janë logjike, racionale dhe lidhen me respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe standardeve më të larta në fushën e të drejtave të njeriut.

Maqedonia e Veriut ka marrë lëvdata për reformat e saj nga BE-ja, por me qeverinë teknike në Bullgari, thekson Mucunski, nuk mund të negociohet.

"Pjesa e parë që diskutuam ishin reformat e brendshme të vendit, pjesa e dytë harmonizimi me PJPS-në dhe e treta marrëdhëniet me Bullgarinë dhe cilat janë parashikimet tona për daljen nga për fat të keq, ky ngërç në të cilën jemi futur nga shumë faktorë, kryesisht për shkak të fajit të paraardhësve tanë në Qeveri. Por duhet të gjendet një rrugëdalje. Ka disa ide që diskutojmë dhe për të arritur një zgjidhje, nevojitet konsensus. Për të arritur një zgjidhje, po flasim me institucionet evropiane, me disa nga shtetet anëtare, javën e ardhshme do të shkoj në Paris ku do të kem disa takime ku do të diskutojmë në këtë temë, por Sofja është një faktor kyç për ne", ka thënë Mucunski.

Ai është decid se nëse qëllimi i deklaruar publikisht nga pala bullgare është i sinqertë - që Maqedonia të ecë në rrugën evropiane dhe të kemi marrëdhënie të mira bilaterale, shumë lehtë mund të arrihet një zgjidhje.

Ai gjithashtu kujtoi se në Bullgari janë duke u zhvilluar zgjedhje, ku nga pala jonë duhet të ketë shumë kujdes, të mos nxitohet në komente dhe reagime.

"Jemi në një periudhë specifike duke pasur parasysh se në Bullgari ka zgjedhje. Çdo koment i nxituar i yni, një reagim i nxituar publik ndaj ndonjë provokimi, ndërsa vijnë provokime nga Sofja, shumë lehtë mund të na vendos në një situatë të bëhemi pjesë e narrativës zgjedhore", theksoi ministri, duke e cilësuar provokimin e fundit me avokatin Menkinoski si shumë serioze.

Foto: printskrin 

 

 

 

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR