• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Mucunski: Jemi gati të pranojmë ndryshime kushtetuese me prapaveprim, kësisoj do të kemi garanci se nuk do të ketë kushtëzime të reja nga Bullgaria

Mucunski: Jemi gati të pranojmë ndryshime kushtetuese me prapaveprim, kësisoj do të kemi garanci se nuk do të ketë kushtëzime të reja nga Bullgaria

Shkup, 18 korrik 2024 (MIA)- Jemi të gatshëm të pranojmë ndryshimet kushtetuese me prapaveprim, duke siguruar garanci për ne si shtet, se nuk do të ketë kushte të reja shtesë nga Bullgaria në baza bilaterale në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian, deklaroi sonte ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski.

Lidhur me akuzat nga Bullgaria se nuk respektohen të drejtat e qytetarëve me vetëdije bullgare, Mucunski tha se sa i përket respektimit të marrëdhënieve ndëretnike jemi shembull në shtet, ndërsa në respektimin e të drejtave të njeriut dhe pakicave, madje shkojmë përtej standardeve evropiane, duke thënë se nuk është legjitim dhe i drejtë argumenti nga pala bullgare se ne nuk i respektojmë të drejtat e bullgarëve në vend.

"Në kuadër të programit tonë për të cilin votuan qindra mijëra qytetarë, prezantuam publikisht konceptin e ndryshimeve të prolonguara të Kushtetutës sonë. Është një model që ne e kemi inkorporuar disa herë në rendin tonë të brendshëm kushtetues dhe ligjor. Edhe ne themi - mund të futen bullgarët si etni në Kushtetutën tonë, bashkë me kroatët, malazezët..., por kjo duhet të ketë një aplikim të prolonguar, deri para se të ratifikohen protokollet për anëtarësimin e vendit në BE. Kjo është që të kemi garanci se gjatë asaj periudhe do të vlerësohemi vetëm sipas kritereve objektive dhe të matura", deklaroi Mucunski sonte në emisionin "Samo intervju" në Kanal 5.

Sipas tij, legjitimiteti i BE-së do të cenohet nëse miratojmë ndryshimet kushtetuese, ndërsa Bullgaria pastaj të vendos veto të re.

Duke komentuar deklaratën e kryeministrit bullgar Dimitar Gllavçev se nuk do të ketë ndryshim në qëndrimin e Bullgarisë dhe se të gjithë në BE qëndrojnë pas konkluzioneve të Këshillit të BE-së të miratuara në korrik 2022, Mucunski thotë se “me respektin më të madh për të ai është kryeministër teknik dhe nuk ka legjitimitet politik dhe mandat për të marrë vendime të tilla”.

Ai përkujtoi se qëndrimi i Qeverisë është parimor dhe nuk del jashtë kornizës negociuese.

"Ajo që kam analizuar, jo vetëm unë, por edhe nga njerëz që i konsideroj kompetentë sa i përket kornizës negociuese, nuk del jashtë kornizës negociuese dhe është zgjidhje që mund të sjellë progres pozitiv edhe që qytetarët tanë dhe ne si vend të ofrojmë parashikueshmëri në rrugën drejt BE-së", vlerëson ministri.

Për të është e kuptueshme vënia e vetos nëse vendi nuk bën përparim në reforma, por është e papranueshme një veto pa argumente kredibile.

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR