• e enjte, 26 dhjetor 2024

MSH: Një i punësuar në Klinikën infektive pozitiv me ethe hemorragjike krimea kongo dhe është hospitalizuar

MSH: Një i punësuar në Klinikën infektive pozitiv me ethe hemorragjike krimea kongo dhe është hospitalizuar

Shkup, 7 gusht 2023 (MIA) - Pas konfirmimit të rastit të etheve hemorragjike krimea kongo tek një grua 27-vjeçare, një nga të punësuarit e Klinikës për sëmundje infektive dhe gjendje febrile (KSIGjF) që u identifikua si kontakt me rrezik të mesëm, në ditën e nëntë të kontrollit ka shfaqur simptoma dhe sipas rezultateve të marra nga Departamenti i ISHP-së është konstatuar rast pozitiv me ethe hemorragjike krimea kongo, kumtojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

Prej atje bëjnë të ditur se pacienti është hospitalizuar në Klinikë, ndërsa nga Reparti i epidemiologjisë për sëmundje infektive në ISHP Shkup, menjëherë kanë formuar ekip për inspektim në terren i cili ka kryer aktivitetet e nevojshme, gjegjësisht ka bërë anketimin e pacientit dhe vënien nën mbikëqyrje për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të sëmundjes.

"Pas konfirmimit të rastit me ethet hemorragjike krimea kongo te një grua e moshës 27-vjeçe, institucionet kompetente shëndetësore kanë vepruar konform rekomandimeve të OBSH-së. Një ekip ekspertësh nga Reparti i Epidemiologjisë për sëmundje infektive në Institutin e Shëndetit Publik të Maqedonisë së Veriut në bashkëpunim me epidemiologë kompetentë nga Qendra e Shëndetit Publik të Shtipit dhe Shkupit, kanë kryer hulumtim në terren në Spitalin klinik të Shtipit, Qendrën emergjente mjekësore në Shtip dhe familjen e të ndjerës, tashmë grua. Një ekip ekspertësh epidemiologësh ka kryer edhe inspektim në terren në Shkup", njofton Ministria.

Nga Ministria theksojnë se në të gjitha këto lokacione, epidemiologët kanë bërë kërkime të kontakteve dhe klasifikim adekuat të personave me rrezikshmëri të lartë, persona me rrezik të mesëm, me rrezik të ulët dhe pa rrezik. Në të gjitha kontaktet e identifikuara janë dhënë vendime nga ISHSSH dhe janë vënë nën mbikëqyrje shëndetësore 14 ditore nga Qendra për Shëndet Publik.

"Një nga të punësuarit e KSIGjF i cili ka qenë si kontakt i identifikuar me rrezik të mesëm, në ditën e 9-të të kontrollit, ka shfaqur simptoma dhe sipas rezultateve të marra nga Departamenti i ISHP-së është konfirmuar si rast pozitiv me ethe hemorragjike krime kongo. Pacienti është shtruar në KSIGjF dhe Departamenti i ISHP Shkup menjëherë ka formuar ekip për inspektim në terren i cili ka kryer aktivitetet e nevojshme, gjegjësisht ka kryer anketimin e pacientit duke vënë nën mbikëqyrje kontaktet e rrezikut shëndetësor me qëllim parandalimin e përhapjes së mëtejshme të sëmundjes", thonë nga Ministria.

Prej atje theksojnë se mbikëqyrja shëndetësore zgjat 14 ditë nga kontakti i fundit me pacientin. Kontaktet nga rasti i parë pozitiv janë nën mbikëqyrje deri më 10.08. 2023.

Siç theksojnë në kumtesë, kohëzgjatja e periudhës nga infektimi deri në shfaqjen e simptomave varet nga mënyra e marrjes së virusit. Pas infektimit nga pickimi i rriqrës, periudha është zakonisht një deri në tre ditë, me maksimum prej nëntë ditësh. Periudha pas kontaktit me gjakun ose indet e infektuara është zakonisht pesë deri në gjashtë ditë, nën maksimum të dokumentuar prej 14 ditësh.

"Shfaqja e sëmundjes është e papritur, me dhimbje koke, temperaturë të lartë, dhimbje të shpinës, dhimbje kyçesh, dhimbje në stomak dhe të vjella. Skuqje e syve, fytyrë e skuqur, skuqje e fytit dhe njolla të kuqe në qiellzë janë gjithashtu të pranishme. Mund të shfaqet verdhëza dhe në raste më të rënda ndryshim i disponimit. Ndërsa sëmundja përparon, në trupin e të sëmurit shfaqen zona të mëdha të mavijosura, si dhe gjakderdhje nga hunda. Shërimi është i ngadalshëm", thuhet në kumtesën e Ministrisë së Shëndetësisë.

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR