• e enjte, 26 dhjetor 2024

MPPS kërkon që të respektohen rekomandimet lidhur me punën gjatë valës së të nxehtit

MPPS kërkon që të respektohen rekomandimet lidhur me punën gjatë valës së të nxehtit

Shkup, 26 korrik 2023 (MIA) - Punëdhënësit nga sektori publik dhe privat janë të detyruar të lirojnë nga puna gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç, thekson Ministria e Punës dhe Politikës Sociale në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Punës, për të sqaruar dhe zbatuar vetëm rekomandimet e Qeverisë të Republikës së Maqedonisë së Veriut lidhur me punën gjatë valës së të nxehtit.

"Rekomandimet për sektorin privat i referohen vetëm mënyrës së organizimit të orarit të punës me qëllim mbrojtjen e punëtorëve nga ekspozimi direkt në diell dhe shmangien e qëndrimit në natyrë nga ora 11:00 deri në orën 17:00. Subjektet juridike që kryejnë veprimtari ndërtimore dhe aktivitetet e të cilëve kryhen në natyrë janë të detyruar të ndërpresin veprimtarinë e tyre në periudhën prej orës 11 deri në 17. Duke pasur parasysh se disa veprimtari të personave juridikë mund të paraqesin rrezik për shëndetin e punëtorëve të ekspozuar, Inspektorati Shtetëror i Punës, përveç rekomandimeve, gjatë inspektimeve vepron edhe në përputhje me dispozitat e Ligjit për Siguri dhe Shëndet gjatë Punës", njofton MPPS.

Nga aty theksojnë se në pajtim me nenin 49 paragrafi 2 i Ligjit për siguri dhe shëndet në punë, nëse inspektori i punës në bazë të mbikëqyrjes te punëdhënësi konstaton se ekziston rrezik i menjëhershëm për sigurinë dhe shëndetin gjatë punës së të punësuarve me vendim do të ndalojë punën në tërësi.

"Duke pasur parasysh se në kushtet e valës së të nxehtit temperaturat e larta, pra indeksi i lartë UV, janë maksimalisht të shprehura, ato në vetvete paraqesin rrezik të menjëhershëm për sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve, për çka inspektorët e punës kanë bazë ligjore për shqiptimin e masës së sipërpërmendur të inspektimit", theksojnë nga MPPS. sa/

 

QËNDRONI TË LIDHUR