• e premte, 27 dhjetor 2024

MPK: Angazhimet e autoriteteve për të luftuar torturën dhe keqtrajtimin janë më shumë deklarative sesa thelbësore

MPK:  Angazhimet e autoriteteve për të luftuar torturën dhe keqtrajtimin janë më shumë deklarative sesa thelbësore

Shkup, 26 qershor 2023 (MIA) - Përpjekjet e autoriteteve për të luftuar torturën dhe trajtimin e papërshtatshëm janë më shumë deklarative se sa thelbësore, tha Avokati i Popullit Naser Ziberi, në prezantimin e sotëm të Raportit Vjetor të Mekanizmit Parandalues ​​Kombëtar (MPK), i cili u prezantua në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për Mbështetje të Viktimave nga Tortura - 26 qershor.

Raporti tregon situatën në vend lidhur me torturën dhe format e tjera të trajtimit të papërshtatshëm në vendet e privimit nga liria/vendet e burgimit.

"Argument i padiskutueshëm në mbështetje të konkluzionit tim është fakti se për disa vite jemi duke u përballur me të njëjtat probleme në vendet e burgimit, të cilat janë konstatuar si të tilla nga organet monitoruese ndërkombëtare", tha avokati Ziberi.

Gjatë vitit 2022, ekipi i MPK-së ka realizuar gjithsej 19 vizita të paparalajmëruara, nga të cilat nëntë janë bërë vizita në stacionet policore nën juridiksionin e përgjithshëm të Sektorëve të Punëve të Brendshme (SPB) Shkup, Manastir dhe Tetovë, tri vizita në INP, një vizitë në shtëpinë e të moshuarve "Nënë Tereza" – Shkup, dy vizita në spitalet psikiatrik "Shkup" dhe "Demir Hisar", si dhe katër vizita në vendet ku strehohen apo ndalohen të huajt dhe azilkërkuesit.

"Nga reparti i drejtësisë në Spitalin Psikiatrik - "Shkup", janë vërejtur arratisje të shpeshta nga disa orë deri në disa muaj, ndërsa si shkak kryesor i arratisjeve pacientët tregojnë kushtet e këqija të jetesës, mungesën e aktiviteteve të organizuara por edhe mosmiratimin e fundjavave terapeutike. Krahas kësaj është numri i pamjaftueshëm i personelit mjekësor dhe personelit tjetër, mungesa e mbrojtjes së organizuar sistematikisht të sigurisë, si dhe menaxhmenti përgjithësisht i dobët", shtoi Ziberi.

Një situatë të ngjashme kanë konstatuar edhe në Spitalin Psikiatrik "Demir Hisar".

Avokati i Popullit iu referua edhe gjendjes në Institucionin Ndëshkues Përmirësues, Shtëpinë edukative- përmirësuese -Tetovë, stacionet policore, vendet ku akomodohen apo ndalohen të huajt dhe azilkërkuesit dhe Shtëpin[ Gerontologjike "13 Nëntori". sa/

QËNDRONI TË LIDHUR