• e mërkurë, 27 nëntor 2024

MPJ: Ndryshimet kushtetuese janë çështje e brendshme e Maqedonisë së Veriut

MPJ: Ndryshimet kushtetuese janë çështje e brendshme e Maqedonisë së Veriut
 

Shkup, 5 prill 2023 (MIA)- Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) informon se procesi i ndryshimeve kushtetuese është çështje e brendshme e Republikës së Maqedonisë së Veriut e cila si obligim lidhet me negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

"Kuvendi pritet të marrë një vendim të tillë, në mënyrë sovrane dhe në përputhje me interesat afatgjata të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, të përfaqësuar në Kuvend dhe në këtë kontekst, nuk ka asnjë mundësi apo vullnet politik për përfshirje të qytetarëve dhe institucioneve nga jashtë, përfshirë edhe nga Republika e Bullgarisë. Një kërkesë e tillë as nuk është pranuar dhe as nuk është diskutuar mes ministrave Osmani dhe Millkov", thuhet në kumtesën e MPJ-së.

Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar në vazhdimin e dialogut politik me Bullgarinë, në frymën e fqinjësisë së mirë dhe Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim dhe shpreson në formimin sa më të shpejtë të Qeverisë së re bullgare. 

Ky qëndrim i MPJ-së vjen pasi shefi i diplomacisë bullgare, Nikollaj Millkov në brifingun me gazetarë tha se Bullgaria dëshiron të përfshihet dhe të konsultohet në procesin e regjistrimit të bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.

"Në këtë kuptim dje pata një bisedë të vogël me ministrin Osmani. Shpresoj se do të përgjigjen. Ne kemi kontakte në përpjekje për të ulur tensionin, pa dëmtuar të drejtat e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut. Ky dialog duhet të vazhdojë për sa kohë të ketë vullnet nga ana e tyre. Në këtë rast ne shtrijmë dorën përsëri. Jemi të gatshëm të diskutojmë dhe të shqyrtojmë ndryshimet që ata i bëjnë", ka thënë Millkov.

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR