• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

MPJ: Deri më tani asnjë qytetar i yni nuk është drejtuar për ndihmë apo evakuim nga Libani

MPJ: Deri më tani asnjë qytetar i yni nuk është drejtuar për ndihmë apo evakuim nga Libani

Shkup, 30 shtator 2024 (MIA) - Deri më tani asnjë shtetas i Maqedonisë nuk ka aplikuar për ndihmë apo evakuim nga Libani, thonë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme për MIA-n.

"Për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë në Liban, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut në disa raste u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve tanë që ndodhen në këtë vend që në rastin e parë të mundshëm të largohen prej atje dhe të shtyhen të gjitha udhëtimet në këtë vend, të cilat nuk janë të domosdoshme", theksojnë nga Ministria.

Nga aty shtojnë se Ministria i ka vënë të gjitha kapacitetet për t'i ndihmuar qytetarët tanë përmes linjës 24-orëshe SOS të MPJ-së +389 75 268 736 (email adresa: globalsos@mfa.gov.mk).

"Deri në këtë moment nuk ka qytetarë tanë që i janë drejtuar Ministrisë për ndihmë apo evakuim dhe as nuk është marrë njoftim se ka shtetas tanë që ndodhen në vend", theksojnë nga Ministria.

Ndërkohë, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Zhozep Borrell, ka caktuar për këtë pasdite një takim të jashtëzakonshëm onlajn të krerëve të diplomacisë së vendeve anëtare të Unionit me një pikë të vetme të rendit të ditës – situatën aktuale në Liban.

"Mesazhi ynë është shumë i qartë, shprehim keqardhje për viktimat civilë dhe kërkojmë armëpushim të menjëhershëm", tha zëdhënësi për politikë të jashtme dhe siguri të KE-së, Peter Stano, duke shtuar se BE-ja qëndrimin e saj për ngjarjet në Liban e shprehu në deklaratën e javës së kaluar të Borellit.

Më shumë se 100.000 njerëz nga Libani kanë kaluar në Siri pas përshkallëzimit të konfliktit ndërmjet forcave izraelite dhe grupit libanez Hezbollah këtë muaj, deklaroi sot komisari i lartë i KB-së për refugjatë Filipo Grandi.

Agjencia gazetareske e Libanit (NNA) njoftoi se armata izraelite herët në mëngjes ka kryer sulm të ri ajror në zonën Çija, në periferitë jugore të Bejrutit. Paraprakisht, armata izraelite (IDF) kumtoi se gjatë natës ka kryer sulme ajrore në rajonin Beka, Libani lindor. Sipas IDF-së, sulmet janë kahëzuar ndaj dhjetëra hedhësve raketor dhe depos për armë të Hezbollahut. Gjatë sulmeve në pjesën jugore të Libanit është eliminuar lideri i Hamasit, Fateh Sherif Abu el Amin, Në sulmin ndaj kampit të refugjatëve palestinez në Tir humbën jetën edhe bashkëshortja, vajza dhe djali i Aminit.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë libaneze, më shumë se 100 njerëz vdiqën në sulmet e fundit izraelite, ndërsa numri i viktimave në dy javët e fundit u rrit në mbi 1000 dhe rreth 600 u plagosën. sa/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR