• e shtunë, 23 nëntor 2024

MPJ bullgare: Qeveria zyrtare e Bullgarisë është legjitime dhe e hapur për dialog me Maqedoninë e Veriut, por rinegociim të marrëveshjes nuk do të ketë

MPJ bullgare: Qeveria zyrtare e Bullgarisë është legjitime dhe e hapur për dialog me Maqedoninë e Veriut, por rinegociim të marrëveshjes nuk do të ketë

 Shkup, 29 gusht 2024 (MIA) - Qeveria zyrtare e Republikës së Bullgarisë është qeveri legjitime dhe mbetet e hapur për dialog me Maqedoninë e Veriut. Përpjekjet për negociim të sërishëm të detyrimeve tashmë të ndërmarra ndërkombëtare mund të çojnë vetëm në distancim të mëtejshëm nga fillimi i negociatave për anëtarësim në BE, informojnë nga MPJ-ja bullgare.

MPJ bullgare, në reagim ndaj deklaratës së kryeministrit Hristijan Mickoskit, thekson se "pa dallim nëse bëhet fjalë për qeveri të përkohshme apo të rregullt bullgare, dialogu nuk përfshin rinegociim të detyrimeve për detyrimet tashmë të ndërmarra nga Shkupi". 

 "Deklarata e sotme e kryeministrit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, fatkeqësisht edhe një herë haptas e vë në pikëpyetje perspektivën evropiane të vendit të tij. Autoriteteve në Shkup duhet ta kenë të qartë se përpjekjet për të ngritur ide për rinegociim të detyrimeve tashmë të ndërmarra ndërkombëtare mund të çojnë vetëm në distancim të mëtejshëm nga fillimi i negociatave për anëtarësim në BE. Ky qëndrim i yni nuk do të ndryshojë pa dallim nëse është qeveri teknike apo e rregullt. Kujtojmë se si rezultat i provokimeve dhe konfrontimeve të panevojshme me vendet fqinje, Maqedonia e Veriut tashmë ka humbur shumë kohë në procesin e hapjes së negociatave për anëtarësim", thuhet në reagimin e MPJ-së bullgare.

 Konsensusi evropian nga vera e vitit 2022 ndërmjet 27 vendeve anëtare të BE-së dhe Maqedonisë së Veriut, theksojnë ngaMPJ-ja bullgare, i përshkruan plotësisht të gjitha hapat për të arritur përparim në procesin e integrimit evropian të vendit.  

 "Pozicioni bullgar është shprehur qartë në Vendimin e Kuvendit Kombëtar të 24 qershorit të vitit 2022, i mbështetur nga të gjitha forcat politike. Është shprehje e vullnetit të qytetarëve bullgarë për të mbështetur Maqedoninë e Veriut në procesin e përmbushjes së kritereve të anëtarësimit në BE, me kusht që shteti fqinj t'u përmbahet standardeve më të larta në fushën e të drejtave të njeriut dhe të përmbushë detyrimet ndërkombëtare të marra me mirëbesim. Ky pozicion në nivel kombëtar nuk do të ndryshohet", thuhet në reagimin e MPJ-së bullgare.

Paraprakisht, kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se pret që pas zgjedhjeve në Bullgari më 27 tetor të formohet një qeveri politike me të cilën do të mund të bisedohet dhe të gjendet "një zgjidhje e përbashkët që përfundimisht do të largohet bllokada dhjetëvjeçare të cilën e kemi si shtet në procesin e integrimit europian".

 "Ne jemi për zhbllokimin e proceseve integruese evropiane dhe do të punojmë të përkushtuar në aët agjendë, por nga ana tjetër duhet të kemi një partner me të cilin mund të komunikojmë. Në Bullgari më 27 tetor janë caktuar zgjedhjet, deri atëherë ata  kanë qeveri teknike. Pas kësaj, shpresoj se do të ketë një qeveri politike dhe shpresoj që me atë qeveri politike  do të mund të ulemi në tryezë dhe të gjejmë një zgjidhje të përbashkët që do të heqë përfundimisht bllokadën dhjetëvjeçare që kemi si shtet në procesin eurointegrues" deklaroi Mickoski në pyetjen e gazetarëve për procesin e ndryshimeve kushtetuese në konferencën e përbashkët në Qeveri me ministrin për Çështje Evropiane Orhan Mutrtezani.

 I pyetur nëse ka zgjidhje të tjera kreative nëse Bullgaria nuk dëshiron të rinegociojë për ndryshimet kushtetuese, Mickoski tha se duhet të presim derisa të zgjidhet një qeveri politike në Bullgari dhe të hapet dialogu me ta.

"Ne jemi fqinj dhe duhet të ndërtojmë marrëdhënie të mira fqinjësore. Madje kemi edhe një Marrëveshje të tillë për Fqinjësi të Mirë e cila duhet të jetë bazë që të mund të vazhdojmë më tej. Shtesat e llojit të propozimit francez mund të kenë një shtesë tjetër - propozim francez plus etj..Jam i bindur që fqinji ynë lindor, nëse e sheh edhe  interesin e tij, do ta ketë  të qartë se procesi i negociatave duhet të fillojë për ne nëse duam të ketë një tërësi si Ballkan që do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Jam i bindur se atje ka politikanë që duan ta shohin këtë", potencon Mickoski.

 Foto: Arkivi i MIA-s

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR