• e premte, 27 dhjetor 2024

MPB dhe SHGM me protokoll për sigurinë e gazetarëve në internet

MPB dhe SHGM me protokoll për sigurinë e gazetarëve në internet
Shkup, 22 mars 2023 (MIA) - Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, sot ka mbajtur takim pune me grupin punues të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, të udhëhequr nga kryetari i SHGM-së Mlladen Çadikovski, në të cilin u promovua  Protokolli i përgatitur për sigurinë e gazetarëve në internet, me fokus për gazetaret.
Si rezultat i zhvillimit të këtij protokolli, ndër të tjera, në Ministrinë e Punëve të Brendshme është caktuar një person-pikë kontakti  për kërcënimet në internet ndaj gazetarëve dhe në përgjithësi punonjësve të medias. Protokolli ofron hapa praktike që gazetarët të veprojnë kur janë subjekt i një kërcënimi përmes rrjeteve sociale dhe në përgjithësi në internet, përmes përfshirjes proaktive të Ministrisë së Punëve të Brendshme në mbrojtjen e punonjësve të medias. Ky është një nga aktiviteteve të rradhës  të zhvilluara bashkërisht nga MPB-ja she SHGM-ja  për përmirësimin e sigurisë së gazetarëve, që nga viti 2017, kur u nënshkrua një Memorandum Bashkëpunimi.
 
 Në takim u diskutua edhe për aspekte të tjera të sigurisë së gazetarëve dhe punonjësve të medias gjatë kryerjes së aktiviteteve të tyre, kërcënimet që janë të pranishme në hapësirën e internetit, nevojën për raportim të lirë dhe të papenguar të ngjarjeve në terren, efikasitetin në mbrojtjen e gazetarëve me zbatim të plotë të instrumenteve ligjore që kanë institucionet dhe u theksua bashkëpunimi i shkëlqyer mes MPB-së dhe SHGM-së.
“Është e qartë se impenjimi  ynë si ministri është që gazetarëve t'u ofrojmë të gjitha kushtet që ata ta bëjnë punën e tyre pa probleme dhe këtë e kemi treguar që nga viti 2017 e deri më tani. Nuk duhet të ketë asnjë dyshim për këtë, sepse liria e mediave është një nga shtyllat bazë mbi të cilën mbështetet demokracia. Dhe ky protokoll, në përpilimin e të cilit kanë marrë pjesë përfaqësues të MPB-së, SHGM-së dhe ekspertë të komunitetit akademik, ofron zgjidhje që do të kontribuojnë që çdo gazetar, veçanërisht femrat gazetare, të ndihen të sigurtë, por edhe të dijnë të veprojnë në rastet e kërcënimeve online. Për ne liria e gazetarëve është prioritet dhe në atë drejtim vazhdojmë me aktivitete të rradhës në bashkëpunim me SHGM-në. Në periudhën paraprake  kemi kryer trajnime të shumta, së bashku me SHGM-në dhe Misionin e OSBE-së në Shkup, kemi zhvilluar Doracakun për sigurinë e gazetarëve gjatë ngjarjeve me rrezikshmëri të lartë dhe sot mund të konstatojmë se është përgatitur  edhe Protokolli për sigurinë e gazetarëve në internet", theksoi ministri Spasovski.
 
Kryetari i SHGM-së Mlladen Çadikovski tha se ky Protokoll është një hap plus në ndërtimin e një atmosfere të sigurt për të punuar gazetarët.
 
“Besojmë se ky është një hap pozitiv në kuadër të rritjes së sigurisë së kolegëve gazetarë. Sot ne jo vetëm përballemi me kërcënime për sigurinë tonë, por përballemi edhe me rrezikun e kërcënimeve online, ku fatkeqësisht, viktimat kryesore janë gazetaret. Në këtë mënyrë presim që të zvogëlohen sulmet dhe rreziku prej tyre dhe të zhduket mosndëshkimi i autorit. Shpresojmë që rekomandimet që gjenden në këtë Protokoll do ta gjejnë vendin e tyre në krijimin  e një atmosfere të sigurt për punën e gazetarëve”, tha Çadikovski.
 
Në procesin e përgatitjes së këtij Protokolli janë bërë analiza të gjëra, është përdorur literatura aktuale ligjore për këtë temë, si dhe praktika të shumta institucionale, për të gjetur qasjen më të mirë për mbrojtje dhe siguri më të madhe të gazetarëve në internet. Në këtë mënyrë do të zvogëlohet mundësia e autocensurës për shkak të frikës ekzistuese të sulmit dhe do të rritet liria e shprehjes dhe standardet profesionale gazetareske. Anëtarë të grupit punues të përbërë për përgatitjen e këtij protokolli nga SHGM-ja ishin Mlladen Çadikovski dhe Dragan Sekullovski, Nikolla Dujovski, profesor në Fakultetin e Sigurisë Shkup në USHKO Manastir, Jasna Baçovska Nediq, profesoreshë në Fakultetin Juridik "Justiniani i Parë" Shkup, Toni Angellovski, ndihmës i ministrit për Marrëdhënie me Publikun dhe Planifikim Strategjik në MPB, ndërsa nga femrat gazetare në grupin punues ishin Sashka Cvetkovska, Evi Shkopi dhe Kristina Atovska. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR