• e premte, 27 dhjetor 2024

Monika Sandri për MIA-n: Nëse ndalen konfliktet në Ukrainë, Siri dhe Afganistan , do të ketë 52% më pak refugjatë 

Monika Sandri për MIA-n: Nëse ndalen konfliktet në Ukrainë, Siri dhe Afganistan , do të ketë 52% më pak refugjatë 

Shkup, 20 qershor 2023 (MIA) – Me rekord famëkeq prej mbi 100 milionë refugjatë sot shënohet Dita botërore të refugjatëve. Për Monika Sandrin, përfaqësuese e Komesariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR), ky është realiteti i hidhur i shkaktuar nga konfliktet gjithnjë e më të shpeshta në botë. Tre konflikte që po ndodhin aktualisht në botë janë përgjegjëse për 52% të numrit të përgjithshëm të refugjatëve. Nëse do të përfundonin konfliktet, siç shprehet ai, në Ukrainë, Siri dhe Afganistani do të shihnin 52 për qind më pak refugjatë në botë.  
 
“Refugjatët janë njerëz, gjysma e tyre gra dhe fëmijë, dhe nëse ata do të pyeteshin, asnjëherë nuk do të largoheshin nga vendi i tyre, do të ishin akoma atje dhe do të jetonin një jetë normale, sepse ata janë njerëz si ju dhe unë. Ata e gjetën veten në një situatë të palakmueshme, ndoshta ka pasur luftë, ose diçka tjetër i ka detyruar të largohen nga vendi i tyre dhe të kërkojnë mbrojtje në vend tjetër. Prandaj, është e nevojshme të kuptohet se çfarë fshihet pas fjalës refugjat, këta janë fëmijë refugjatë, gra refugjate dhe burra refugjatë. Ata janë si të gjithë ne”, shprehet Sandri.  
 
Në vazhdim transmetojmë intervistën e plotë me Monika Sandri, përfaqësuese e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët – UNHCR, me video material:  
 
Sot është Dita Botërore e Refugjatëve, a mund të na thoni diçka më shumë për këtë ditë?  
 
Ju faleminderit që na dhatë shansin, UNHCR-së dhe mua personalisht, në shënimin e Ditës botërore të refugjatëve - 20 qershor, të flasim për refugjatët. Ky është qëllimi i Ditës botërore të refugjatëve. Së pari dhe më e rëndësishme Para së gjithash, për t 'i dhënë një mundësi për të folur për refugjatët. Shumë shpesh ata janë përjashtuar nga diskursi publik. 20 qershori është dita kur të gjitha vendet e botës dhe zyrat e UNHCR-së flasin për refugjatët dhe azilkërkuesit.  

Cila është situata me refugjatët në këtë moment, çfarë thonë numrat?  
 
Çdo vit, para 20 qershorit, UNHCR publikon raportin global. Në raportin e vitit 2022, ne mund të gjejmë statistika për refugjatët dhe personat që janë të detyruar t'i braktisin dhe kalojnë kufijtë dhe personat e shpërngulur brenda vendit, njerëzit që janë të detyruar të braktisin shtëpitë e tyre, mirëpo qëndrojnë në vendin e tyre. Mund të gjejmë shumë numra. Unë gjithmonë ndihem në siklet të flas për numrat, meqë duket sikur nuk ka njerëz prapa numrave. Por, realiteti i trishtuar është se pas çdo numri ka histori njerëzore dhe tragjedi njerëzore. Për fat të keq, shumë nga refugjatët dhe personat e shpërngulur me forcë janë fëmijë dhe gra.  
 
Në raportin qëndron se në vitin e kaluar, është arritur numri rekord i refugjatëve, sa është kjo shifër, krahasuar me vitin 2021?  
 
Raporti i trendit global tregon se ky është një realitet me të vërtetë trishtues. Trendi i personave të zhvendosur me forcë vazhdon të rritet. Trajektorja është shumë e qartë, çdo vit numrat janë gjithnjë e më të lartë. Në vitin 2022, u vendos rekordi, për fat të keq, tejkaluam shifrën prej mbi 100 milionë persona të zhvendosur me forcë, dhe tashmë në vitin 2023, arritëm në 110 milionë.  
 
Nga vijnë më shpesh refugjatët?  
 
Në botë ka shumë konflikte, dhe, për fat të keq, shumë prej konflikteve, sidomos nga tre konfliktet, konsiderohet se vijnë 52 për qind të refugjatëve. Nëse do të zgjidhnim konflikte të tilla si ato në Ukrainë, Siri dhe Afganistan, do të shihnim 52 për qind më pak refugjatë në botë.  
 
Në çfarë mënyre ka kontribuar invazioni rus në këtë figurë?  
 
Në masë të madhe. Në fakt, pamë daljen e refugjatëve ukrainas, që ishte dalja më e shpejtë e refugjatëve që nga Lufta e Dytë Botërore. Ju mund të imagjinoni se, para pushtimit të Rusisë, ne kishim 27 mijë, ndërsa tani kjo shifër është rritur në 5,7 milionë refugjatë. Kjo është shifër e pabesueshme dhe më e shpejta që nga Lufta e Dytë Botërore.  
 
Cila është situata në Republikën e Maqedonisë së Veriut, sa azilkërkues ka në vendin tonë?  

Përkundër asaj që njerëzit mendojnë, nuk ka shumë azilkërkues apo refugjatë. Shumë njerëz vijnë në Maqedoninë e Veriut, por pastaj ata thjesht e kalojnë përmes  saj.  
 

Çfarë mund të bëjë qeveria për të mbrojtur refugjatët?  
 
Maqedonia e Veriut po bën shumë për të mbrojtur refugjatët. Gjëja e parë që duhet bërë është të sigurohemi se sistemi funksionon. E para dhe më e rëndësishme është sistemi i azilkërkuesve. Çdo vend duhet të zhvillojë sistem azilkërkuesish sipas standardeve ndërkombëtare. Kjo është gjëja e parë. Por, vetëm një sistem për azilkërkuesit nuk është i mjaftueshëm për të mbrojtur më mirë refugjatët. Është shumë e rëndësishme që kjo të shoqërohet me sistem efektiv integrimi. Një sistem për azilkërkuesit së pari, ata kanë nevojë për status ligjor, por pastaj, atyre duhet t'u mundësohet të integrohen në shoqëri dhe të mund të sigurohen se mund të kontribuojnë për këtë shoqëri. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Por, është gjithashtu e rëndësishme të kemi politika efektive të migracionit që do të sigurojnë ekzistencën e sigurisë. Megjithatë, sistemi duhet të jetë gjithmonë i vetëdijshëm për përmbushjen e pritjeve dhe nevojave të njerëzve që janë të detyruar të braktisin kufijtë e shtetit të tyre.  
 
Si mund të kontribuojnë faktorët tjerë dhe secili prej nesh të kontribuojë për mbrojtjen e refugjatëve?  
 
Të gjitha gjërat zhvillohen paralelisht. Nuk mund të flasim për mbrojtjen e refugjatëve dhe vënien e përgjegjësisë vetëm mbi qeveritë apo parlamentet, por kjo është një detyrë për të gjithë shoqërinë. Mënyra e duhur e të menduarit është shumë e rëndësishme. Një narrativë negative në lidhje me refugjatët nuk ndihmon shumë. E para dhe themelore, është shumë e rëndësishme njerëzit të edukohen se çfarë do të thotë të jesh refugjat, pse njerëzit bëhen refugjatë, si dhe për të hequr stereotipat. Refugjatët janë njerëz, gjysma e tyre gra dhe fëmijë, dhe nëse do të pyesnin veten, ata asnjëherë nuk do të largoheshin nga vendi i tyre, do të ishin akoma atje dhe do të jetonin një jetë normale, sepse ata janë njerëz si ju dhe unë. Ata kanë hasur në situatë fatkeqe, ndoshta ka pasur luftë apo diçka tjetër që i ka bërë ata të largoheshin nga vendi i tyre dhe të kërkojnë mbrojtje në vend tjetër. Prandaj, është e nevojshme të kuptohet se çfarë fshihet pas fjalës refugjat, këta janë fëmijët refugjatë, gratë refugjate dhe burrat refugjatë. Këta janë njerëz si të gjithë ne.  
 
Cila është situata në vendin tonë, a i pranojnë qytetarët maqedonas refugjatët apo ka ende stereotipe?  

Stereotipat ekzistojnë kudo, por unë mendoj se klima po ndryshon, kohët po ndryshojnë dhe ne kemi shumë shpresë tek brezat e rinj. Njerëzit tani janë më të informuar, gjithnjë e më të arsimuar, udhëtojnë më shumë, janë më të vetëdijshëm për diversitetin dhe gjithashtu më të prirur për të njohur dhe pranuar këto dallime dhe për të punuar së bashku drejt një shoqërie më të mirë dhe një bote më të mirë. Kjo është ëndrra e Agjendës 2030.  

Kur jemi te Agjenda 2030, UNHCR ka shumë aktivitete në këtë temë, njëra prej të cilave është Marrëveshja globale për refugjatët dhe tjetra është Forumi global i refugjatëve. A mund të na thoni se çfarë paraqesin ato?  
 
Vetë fjala tregon gjithçka  – Marrëveshje globale – kjo është ajo për të cilën bëhet fjalë. Te Marrëveshja globale për refugjatët, vendet anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dëshironin të arrinin qëllimin përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për të gjetur zgjidhje për personat e zhvendosur me forcë dhe refugjatët. Pse? Për shkak se shohim se numri po rritet, dhe kur flasim për zgjidhje, mënyra se si e kemi diskutuar këtë temë deri më tani nuk është e mjaftueshme. Për shkak se ka gjithnjë e më shumë konflikte dhe gjithnjë e më shumë refugjatë, e nga ana tjetër, ne nuk shohim zgjidhje të mjaftueshme. Prandaj, Marrëveshja globale për refugjatët dëshiron të përqendrohet në faktin se ne duhet të dyfishojmë përpjekjet tona, duhet të punojmë së bashku, shumë më tepër, shumë më mirë dhe në mënyrë më efikase, në mënyrë që të gjejmë zgjidhje për refugjatët. Një pjesë tjetër e rëndësishme e informacionit tregon se shumica e refugjatëve, në kundërshtim me atë që mendojnë njerëzit, janë strehuar në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, jo në vendet e pasura. Jo të gjithë refugjatët shkojnë në vendet perëndimore. Shumica e refugjatëve jetojnë në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Nuk është e drejtë që këto vende të marrin përsipër përgjegjësinë për refugjatët. Kjo është një çështje globale. Secili vend është i thirrur të marrë përgjegjësinë për avancimin e zgjidhjeve për refugjatët.  
 
Çfarë paraqet Forumi global?  
 
Forumi Global është vendi ku të gjitha shtetet, por jo vetëm shtetet, por edhe shoqëria civile, bashkësia akademike, komponentët e ndryshëm të shoqërisë takohen dhe tregojnë se çfarë do të bënin për të avancuar mbrojtjen e refugjatëve dhe zgjidhjet për refugjatët. Forumi i parë u mbajt pas miratimit të Marrëveshjes globale për refugjatët në vitin 2019, dhe me këtë rast, shtetet dhe entitetet e ndryshme u angazhuan për disa iniciativa në lidhje me promovimin e mbrojtjes dhe solidaritetit të refugjatëve. Katër vjet më vonë, në dhjetor të vitit 2023, do të mbahet Forumi i dytë Global i Refugjatëve. Ky forum do të shqyrtojë progresin e bërë në lidhje me angazhimet e bëra katër vjet më parë dhe do të jetë një mundësi për të promovuar angazhime të reja. Megjithatë, është shumë e rëndësishme të përmendet se nuk bëhet fjalë vetëm për krijimin e ligjeve të mira, por për avancimin e solidaritetit global.  
 
Përveç kësaj, pashtetësia (apatridija) është çështje që UNHCR po ndihmon që të çrrënjoset. Cila është situata në këtë fushë?  
 
Çështja e lidhur me personat pa shtetësi është shumë e rëndësishme për mua. Personat pa shtetësi janë në fakt persona pa dokumente, pa certifikatë lindjeje, letërnjoftim, në mënyrë që formalisht dhe zyrtarisht këta persona të mos ekzistojnë. Kjo, sipas mendimit tim, është një tragjedi njerëzore, sepse është e pakonceptueshme se si mund të duket jeta e një personi që nuk ka një identitet sipas ligjit. Është pothuajse e pamundur të mendosh se çfarë do të thotë kjo, sepse njerëzit e gjejnë veten në shkallën më të madhe të cenueshmërisë. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me mungesën e qasjes deri te një e drejtë e caktuar. Imagjinoni të mos keni qasje në asnjë të drejtë – të mos keni të drejtë të shkoni në institucion shëndetësor, të shkoni në shkollë dhe madje edhe nëse shkoni në shkollë, të mos keni mundësinë të merrni certifikatat e duhura, të mos keni të drejtë të votoni, të punoni, të martoheni, apo edhe të vdisni. Kjo është e paimagjinueshme dhe do të thosha se ky është një prioritet me të vërtetë i madh. Dhe këtë nuk e mendoj vetëm unë, por edhe sekretari i përgjithshëm. Kjo nuk ishte vetëm pjesë e Agjendës 2030, por duke marrë parasysh shkallën e cenueshmërisë, e shumë prej tyre janë fëmijë, Sekretari i Përgjithshëm bëri thirrje për një afat përfundimtar, respektivisht ka plan global dhe afat për t 'i dhënë fund pashtetësisë në botë deri në fund të vitit 2024.  
 
Maqedonia po bën përparim në këtë fushë sepse kohët e fundit u miratuan ndryshimet në Ligjin për evidencën amë. Çfarë ka ndryshuar me këtë?  

“Ende nuk kemi ndaluar së festuari, veçanërisht në UNHCR, duke marrë parasysh se pashtetësia është pjesë e mandatit tonë. Nuk është vetëm UNHCR, por të gjitha agjencitë e OKB-së, organizatat e shoqërisë civile, organizatat ndërkombëtare (OSBE, Këshilli i Evropës), të gjitha formojnë një koalicion të madh. Kuvendi miratoi amendamente që mundësojnë zgjidhjen e të gjitha rasteve të regjistruara të pashtetësisë. Është një nga dy kushtet për të thënë se një shtet ka zgjidhur çështjen e pashtetësisë – së pari për të zgjidhur të gjitha rastet e regjistruara. Gjëja e dytë është të kihet kornizë ligjore, respektivisht sistem për parandalimin e rasteve të tilla në të ardhmen. Kjo arritje historike që ndodhi disa ditë më parë e vuri Maqedoninë e Veriut në rrugën e duhur drejt zgjidhjes së të gjitha rasteve deri në fund të këtij viti dhe madje edhe para kësaj për të qenë vendi i parë në Evropë që i jep fund pashtetësisë dhe i dyti në botë. Kjo po bën histori për vendin, por, ajo që është edhe më e rëndësishme, përfaqëson një pikë kthese në jetën e njerëzve pa certifikatë lindjeje ose kartë identiteti. Jemi të gjithë të lumtur për ta.  

Në fund, a mund të na thoni se cila është këshilla e UNHCR-së për zvogëlimin e numrit të refugjatëve, cilat janë veprimet që i ndërmerrni?

Do të doja që përgjegjësia për reduktimin e numrit të refugjatëve të bjerë mbi UNHCR-në, por nuk është kështu. Ajo që do të bënte një ndryshim të madh është ajo që thashë më parë – ndalimi i konflikteve. Kjo është më e rëndësishmja. Siç e përmenda, 52 për qind e personave të zhvendosur me forcë dalin vetëm nga tre konflikte. Roli dhe mandati i UNHCR-së është që të jetë gjithmonë i gatshëm për të monitoruar situatën dhe për të mbështetur qeveritë dhe të gjitha palët e interesuara të përfshira në krijimin e sistemeve në përputhje me të gjitha standardet, normat dhe garancitë ndërkombëtare. Është shumë e rëndësishme të kërkojmë zgjidhje dhe të jemi më efektivë në gjetjen e zgjidhjeve për refugjatët.  

Angela Rajçevska  

Foto: Forsina Naskoviq

Video dhe montazhi: Andrej Brankoviq

QËNDRONI TË LIDHUR