• e enjte, 26 dhjetor 2024

Mitreski-Larson Xhein: Marrëdhëniet e shkëlqyera politike dhe miqësinë do t'i forcojmë përmes aleancës në NATO

Mitreski-Larson Xhein:    Marrëdhëniet e shkëlqyera politike dhe miqësinë do t'i forcojmë përmes aleancës në NATO

Shkup, 19 mars 2024 (MIA) - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Jovan Mitreski, sot realizoi takim me ambasadoren e Mbretërisë së Suedisë, Ami Larson Xhein. 

Ambasadorja, siç informon pres shërbimi i Kuvendit, shprehu mirënjohje të madhe për mbështetjen për anëtarësimin e Suedisë në NATO, duke pasur parasysh se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut ishte ndër parlamentet e para të vendeve anëtare të Aleancës, i cili tashmë në verën e vitit 2022, me shumicë të madhe, e ratifikoi Protokollin e Aderimit të Suedisë dhe Finlandës në Aleancë. 

"Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord se në kohën kur kontinenti po përballet me krizë të madhe të sigurisë, anëtarësimi i Suedisë do të japë kontribut të rëndësishëm për sigurinë e përbashkët", theksohet në kumtesë. 

 

 Mitreski, siç theksohet,  shprehu kënaqësinë për marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale ndërmjet të dy vendeve, veçanërisht për bashkëpunimin intensiv midis deputetëve të dy dhomave ligjvënëse në periudhën e kaluar, në kuadër të bashkëpunimit ndërparlamentar për zhvillimin demokratik. Ai shprehu besimin se marrëdhëniet e shkëlqyera politike dhe miqësia do të forcohen edhe më tej përmes aleancës në NATO.

Kryetari i Kuvendit Mitreski iu referua edhe zgjedhjeve të ardhshme presidenciale dhe parlamentare dhe e ndau besimin se bashkëpunimi i ngushtë ndërparlamentar dhe mbështetja e ndërsjellë në nivel ndërkombëtar do të vazhdojë edhe në përbërjen e ardhshme të Kuvendit të Maqedonisë, veçanërisht në kontekstin e rrugës sonë eurointegruese. 

Ambasadorja Larson Xhein theksoi se Suedia do të vazhdojë të japë kontribut aktiv dhe të vazhdueshëm në zhvillimin demokratik dhe ekonomik të vendit tonë përmes projekteve të shumta zhvillimore, veçanërisht në qëllimin tonë strategjik, anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian. 

 Foto: Kuvendi i Maqedonisë së Veriut

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR