• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Miteva për deklaratën e Osmanit për ndryshimet kushtetuese: Dyshojmë në sinqeritetin e qëllimeve të tyre

Miteva për deklaratën e Osmanit për ndryshimet kushtetuese: Dyshojmë në sinqeritetin e qëllimeve të tyre

Shkup, 15 tetor 2024 (MIA) - Ne dyshojmë në sinqeritetin e qëllimeve të tyre, ndërsa ish shefi i diplomacisë ka më pak kredibilitet të flasë për këtë temë, tha sot zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva lidhur me qëndrimin e Bujar Osmanit që të miratohen ndryshimet kushtetuese, por me një klauzolë sipas së cilës nuk do të aplikohen nëse Bullgaria vazhdon të bllokojë anëtarësimin tonë në BE në pesë vitet e ardhshme.

"E kemi parë deklaratën e ish shefit të diplomacisë i cili me vite ishte ne krye të asaj pozite dhe vlerësojmë se ka më pak kredibilitet të flasë për këtë temë sepse dyshojmë në sinqeritetin e qëllimeve të tyre kur japin propozime dhe zgjidhje për situatën në të cilën ndodhemi lidhur me këtë çështje", theksoi Miteva në konferencën për mediat. 

Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve në çfarë kuptimi dyshon Qeveria, Miteva nënvizoi se dyshimi është në lidhje me atë se “cili është qëllimi në raport me propozimet e tyre që i japin tani si kahe e propozim-zgjidhjeve”.

Osmani për TV21 sot tha se vendi duhet t'i realizojë ndryshimet kushtetuese përmes futjes së klauzolës në Ligjin për zbatimin e Kushtetutës.

“Ne duhet t’i realizojmë ndryshimet kushtetuese. Ja unë po shkoj një hap para, nëse i bëjmë ndryshimet kushtetuese sot, ne mundemi lirisht në Ligjin për zbatimin e Kushtetutës, ta vendosim një klauzolë, ku thuhet nëse brenda 5 vjetëve vazhdon Bullgaria ta pengojë Maqedoninë e Veriut për çështje që s’kanë të bëjnë me BE-në, Parlamenti ka drejtë t’i suspendojë ndryshimet kushtetuese, por të hyjnë në fuqi tani”, tha Osmani. qa/ 

Foto: printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR