• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

MIteva: Deputetët e LSDM-së ta nënshkruajnë kërkesën për Ligjin për branitellat që të vihet në rend dite në Komisionin kuvendor

MIteva: Deputetët e LSDM-së ta nënshkruajnë kërkesën për Ligjin për branitellat që të vihet në rend dite në Komisionin kuvendor

Shkup, 23 shtator 2024 (MIA) – VMRO-DPMNE sot ju bëri thirrje deputetëve të LSDM-së të cilët janë anëtarë të Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, të nënshkruajnë kërkesën deri te kryetarja e Komisionit, Ilire Dauti nga Fronti Evropian, që ta vendosë në rend dite Ligjin për branitellat. 

“Kjo kërkesë i është propozuar publikisht deputetes Sllavjanka dhe presim përgjigje nëse deputetët e LSDM-së do ta nënshkruajnë të njëjtën dhe nëse kryetarja e Komisionit Ilire Dauti nuk thërret seancë do të paraqesin kërkesë për shkarkim apo interpelancë të saj. Ne morëm qëndrimin si grup parlamentar që të presim përgjigje deri në orën 15:30 të sotme”, tha zëdhënësja e VMRO-DPMNE-së, Marija Miteva në një konferencë për media në shtëpinë ligjvënëse.

I bëri thirrje deputetes së LSDM-së, Sllavjanka Petrovska që publikisht ta bëjë të ditur qëndrimin e partisë sa i përket Propozim ligjit për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për të drejtat e veçanta të pjesëtarëve të forcave të sigurisë dhe të anëtarëve të familjeve të tyre me procedurë të shkurtër, i cili paraprakisht ishte parashtruar nga ana e Petrovskës.

“Në të kundërtën, deputetët e VMRO-DPMNE-së do ta parashtrojnë këtë kërkesë pa mbështetje dhe nënshkrime të deputetëve të LSDM-së, me çka në praktikë do të shihet qëllimi i tyre i vërtetë për politizim”, tha Miteva. 

Propozim ligji për branitellat shkaktoi reagime të shumta, si në bllokun politik maqedonas, ashtu edhe në atë shqiptar. Ligji është në procedurë kuvendore, por është bllokuar në Komisionin për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini sepse kryetarja e Komisionit Ilire Dauti nga radhët e Frontit Evropian i udhëhequr nga BDI, nuk cakton seancë.

Nga partia politike “E majta” paralajmëruan se do të parashtrojnë kallëzim penal kundër kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, sepse edhe pse ka pasur mundësi ta thirre mbledhjen e Komisionit kuvendor për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini në të cilën duhet të shqyrtohet Propozim-ligji për branitellat, këtë nuk e ka bërë.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, thotë se nuk e shkel Rregulloren për punë dhe se ingerencat janë te kryetarja e Komisionit kuvendor. 

Kryeministri Hristian Mickoski javën e kaluar në një deklaratë për mediat i bëri thirrje kryetares së Komisionit kuvendor për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini ta vendosë në rend dite Propozim-ligjin për branitellat, duke shtuar se me “VLEN” nuk kanë biseduar për ligjin. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR