• e enjte, 26 dhjetor 2024

Miratohet iniciativë për shkarkimin e Taravarit si kryetar i Aleancës për Shqiptarët

Miratohet iniciativë për shkarkimin e Taravarit si kryetar i Aleancës për Shqiptarët

Shkup, 10 shkurt 2024 (MIA) - Iniciativë për shkarkimin e Arben Taravarit nga posti i kryetarit të Aleancës për Shqiptarët është miratuar në kuvendin qendror të partisë që u mbajt sot në Shkup.

Këtë në konferencën për media pas përfundimit të takimit e ka bërë të ditur Ziadin Sela i cili sipas statutit është kryetar i kuvendit partiak të ASH-së.

"Kemi pritur që të vjen kryetari i partisë Taravari, aty ku i takon dhe ku e ka vendin, ajo është në këtë kuvend qendror si organ më i lartë mes dy kongreseve. Ai nuk erdhi. Fatkeqësisht, sipas kësaj, nga ana e anëtarëve të kryesisë qendrore është propozuar se është e pakuptimtë pika e rendit të ditës ku kryetari duhet të japë llogari për zhvillimet e fundit në ASH, pas së cilës u hoq dhe u vendos pikë tjetër, pra iniciativa për shkarkimin e kryetarit të partisë sipas nenit 48 të statutit të partisë", ka thënë Sela.

Ai informoi se sipas kësaj pike nga 108 anëtarë të pranishëm në kuvendin qendror, 106 votuan “pro” iniciativës, një kundër dhe një i përmbajtur.

"Si pasojë dhe rezultat i këtij vendimi, pika tjetër ka qenë që të shkohet në Kongresin që do të mbahet më 18 shkurt dhe ku do të vendoset mbi iniciativën e miratuar nga kuvendi qendror i ASH-së për shkarkimin e kryetarit të partisë Taravari.

Foto: MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR