Miqtë e Ballkanit Perëndimor: Është koha për përparim vendimtar në integrimin evropian të rajonit
- Ministrat e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Austrisë, Kroacisë, Çekisë, Greqisë, Italisë, Sllovakisë dhe Sllovenisë, të mbledhur në grupin Miqtë e Ballkanit Perëndimor, dërguan një letër të përbashkët te shefja e diplomacisë evropiane Kaja Kalas dhe te komisarja për Zgjerim Marta Kos, ku porosisin se është koha për përparim vendimtar në integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE dhe prezantojnë hapa konkret për mbështetjen e rajonit në rrugën e tij drejt BE-së.
- Post By Sara Ademi
- 08:37, 16 dhjetor, 2024
Bruksel, 16 dhjetor 2024 (MIA) - Ministrat e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Austrisë, Kroacisë, Çekisë, Greqisë, Italisë, Sllovakisë dhe Sllovenisë, të mbledhur në grupin Miqtë e Ballkanit Perëndimor, dërguan një letër të përbashkët te shefja e diplomacisë evropiane Kaja Kalas dhe te komisarja për Zgjerim Marta Kos, ku porosisin se është koha për përparim vendimtar në integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE dhe prezantojnë hapa konkret për mbështetjen e rajonit në rrugën e tij drejt BE-së.
Në letrën për Kalas dhe Kos, Miqtë e Ballkanit Perëndimor theksojnë se "me luftën agresive të Rusisë kundër Ukrainës dhe sfidat tjera të sigurisë për kontinentin tonë, politika e zgjerimit, një nga mjetet gjeopolitike më efikase të BE-së, mori një nxitje të re dhe të fortë", transmeton RTS. Siç theksojnë ministrat, në atë kuptim, Ballkani Perëndimor do të jetë lakmus test për Bashkimin Evropian.
"Vetëm me integrimin e këtij rajoni në familjen tonë të BE-së mund të sigurojmë stabilitet dhe prosperitet të kontinentit tonë", thuhet në letër.
Shprehet mbështetje e plotë për vendimin e kryetares së Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, për të ngarkuar Komisaren Kos për të çuar përpara procesin e zgjerimit "në vitet e ardhshme kritike, duke u mbështetur mbi të me një vrull të ri" dhe duke punuar drejt integrimit gradual.
"Do të vazhdojmë të mbështesim një proces zgjerimi edhe më dinamik, të besueshëm dhe efikas. Ka ardhur koha për përparim vendimtar dhe ne do të vazhdojmë të ndihmojmë rajonin të arrijë hapat thelbësorë në rrugën drejt anëtarësimit në BE", thuhet në letër.
Ministrat bëjnë thirrje për krijimin e një axhende të qartë dhe kornizë kohore për zbatimin e plotë të Planit të Rritjes dhe nxitjen e integrimit gradual në tregun e përbashkët, si dhe në politikat e tjera të BE-së, kur të plotësohen të gjitha kushtet e nevojshme.
Miqtë e Ballkanit Perëndimor besojnë se kjo duhet të sigurojë një perspektivë të prekshme për anëtarësimin në BE dhe të prodhojë rezultate më të dukshme për qytetarët e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht të rinjtë, si dhe të kontribuojë në forcimin e mbështetjes së tyre për BE-në.
Për të arritur këto synime, ata inkurajojnë partnerët e Ballkanit Perëndimor që të përshpejtojnë reformat e nevojshme, të angazhohen në bashkëpunimin rajonal, të nxisin marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë përmes pajtimit dhe zgjidhjes së çështjeve të pazgjidhura dhe të zbatojnë një treg të përbashkët rajonal që është një "pushtet drejt tregut të vetëm".
Miqtë e Ballkanit Perëndimor vlerësojnë se zgjerimi i BE-së, si një nga prioritetet kryesore në ciklin e ardhshëm institucional, duhet të reflektohet në kornizën e ardhshme financiare shumëvjeçare të Unionit dhe propozojnë rikahëzim më të mirë të IPA fondeve me qëllim që të lehtësohet pjesëmarrja më e gjerë e partnerëve nga rajoni në programet dhe agjencitë e BE-së.
Letrën e firmosën ministri për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë Aleksandar Shalenberg, nënkryetari i Qeverisë italiane dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar Antonio Tajani, ministrat e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë dhe Sllovakisë Gordan Grliq Radman dhe Juraj Blanar, ministrat e Punëve të Jashtme të Çekisë dhe Greqisë, Jan Lipevski dhe Jorgos Gerapetritis dhe zëvendëskryeministrja e Sllovenisë dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe Evropiane Tanja Fajon. sa/
Foto: Arkivi i MIA-s