• e enjte, 26 dhjetor 2024

Ministrja Petrovska dhe ambasadorja Ageler në prezantim të pajisjes nga stërvitja ushtarake "Përgjigje e shpejtë 2023“ në Kavadar

Ministrja Petrovska dhe ambasadorja Ageler në prezantim të pajisjes nga stërvitja ushtarake

Kavadar, 28 maj 2023 (MIA) - Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska dhe ambasadorja e SHBA-së, Angela Ageler, sot morën pjesë në prezantimin e pajisjeve nga stërvitja ushtarake “Përgjigje e shpejtë 2023”, në sheshin e qytetit në Kavadar. Stërvitja në poligonin e armatës Krivollak është pjesë e stërvitjes së madhe “Mbrojtësi evropian 2023” dhe po zhvillohet nga data 22 maj deri më 2 qershor, me pjesëmarrjen e pesë shteteve, katër prej të cilave janë aleate të NATO-s, RMV, SHBA, Shqipëria dhe Mali i Zi, dhe Kosova partnere me gjithsej 1.850 pjesëmarrës.

Ministrja Petrovska u shpreh e kënaqur me ngjarjen në të cilën do të prezantohet një pjesë e pajisjeve që janë duke u përdorur dhe do të përdoren edhe nesër, në kuadër të stërvitjes “Përgjigje e shpejtë 2023”. Qëllimi i stërvitjes, siç theksoi ministrja, është “të tregohet unitet, aleancë dhe sigurisht gatishmëri, gjë që është më e rëndësishme për armatat që marrin pjesë, për bashkëpunim të ndërsjellë, por edhe për tejkalimin e çdo sfide që mund të lindë në të ardhmen”.

Petrovska përkujtoi se vendi është nikoqir i disa aleatëve nga aleanca e NATO-s dhe një vend partner, Kosovën dhe e falënderoi ambasadoren Ageler për mbështetjen që SHBA-ja ia jep Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ambasadorja Ageler tha se është krenare që ndodhet në Kavadar.

“Fakti që jam këtu, së bashku me anëtarët e Forcave tokësore të SHBA-së në Evropë dhe Afrikë, si dhe anëtarë të Gardës kombëtare të Minesotës, krah për krah me trupat tona vendase, tregon mbështetjen tonë vetëmohuese dhe partneritetin që kemi ndërtuar deri më tani, me këtë anëtare të aleancës së NATO-s, e cila vërtet kontribuon me zell", tha Ageler, duke theksuar 30 vjet bashkëpunim dhe partneritet, duke falënderuar për mbështetjen e dhënë Ukrainës. Ajo theksoi se populli maqedonas duhet të jetë krenar për vendin e tij, armatën, kontributin rajonal, veten dhe familjet e tyre.

Ministrja Petrovska, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetares se a do të organizohen ditë të tilla të hapura edhe në qytete të tjera, tha se në çdo rast kur ka ushtrime të tilla, në lokacione të ndryshme në vend, mbahen ditë të tilla të hapura, në mënyrë që armata dhe qytetarët të mund të jenë më afër me njëri tjetrin.

“Ministria e Mbrojtjes dhe Armata janë gjithmonë të gatshëm të presin kuadro të reja, të cilët janë të gatshëm ta ndihmojnë këtë shtet", theksoi Petrovska.

Kryetari Mitko Jançev falënderoi ministrin dhe ambasadorin për vizitën, tha se kjo është me rëndësi të madhe për banorët e Komunës së Kavadarit. mb/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR