• e hënë, 31 mars 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Ministria e Shëndetësisë: Katër pacientë, të cilët dje u kthyen nga vendet e huaja, janë në gjendje të shkëlqyeshme, sot presim edhe tetë të tjerë

Ministria e Shëndetësisë: Katër pacientë, të cilët dje u kthyen nga vendet e huaja, janë në gjendje të shkëlqyeshme, sot presim edhe tetë të tjerë

Shkup, 27 mars 2025 (MIA) - Katër pacientë, të cilët dje u kthyen nga Spanja, janë dërguar në shtëpi në gjendje të shkëlqyeshme shëndetësore, ndërsa një pacient nga Athina është mbajtur me qëllim që të konfirmohet në tërësi gjendja e tij shëndetësore, informuan sot nga Ministria e Shëndetësisë në konferencën e sotme për shtyp.

"Dy pacientët, të cilët janë pranuar në ditën e parë dhe të dytë, ishin stabilë, por ende nuk kemi qenë plotësisht të kënaqur me analizat që kemi bërë. Dje u pranuan katër pacientë të kthyer nga Spanja, menjëherë janë kontrolluar, të gjithë morën trajtimin e duhur. Sot gjatë vizitës i pamë përsëri analizat toksikologjike dhe laboratorike, përsëri të gjitha të rezultatet janë brenda vlerave referente, pacientët kanë parametra të qëndrueshme klinikë dhe sot edhe ata katër edhe ata dy që i kemi pranuar fillimisht, i kemi dërguar në shtëpi në gjendje të shkëlqyer shëndetësore", informoi doktor Çabishev.

Në konferencën për shtyp u theksua se djegiet e pacientit nga Athina janë shëruar plotësisht, por pasi janë bërë analizat laboratorike toksikologjike, është vendosur që pacienti të mbahet.

Ministri Arben Taravari potencoi se katër pacientë mbeten në gjendje kritike, por se në përgjithësi gjendja shëndetësore e pacientëve ishte e mirë.

"Gjithsej në Shkup janë duke u trajtuar 24 pacientë. Në Qendrën Klinike janë shtatë, gjashtë në Spitalin e vjetër të Qytetit dhe tetë në Spitalin e Qytetit '8 Shtatori', tre në klinika private. Nga gjithsej 24, nëntë do të lirohen sot, ata janë në gjendje të mirë, të qëndrueshme dhe mund të vazhdojnë me trajtimin në shtëpi. Praktikisht nesër do të kemi 15 pacientë, nga të cilët do të shohim nëse do të ketë të tjerë për t'u liruar. Dje janë kthyer një pacient nga Athina dhe katër nga Spanja. Gjithsej 108 janë duke u trajtuar jashtë vendit. Tetë pacientë u njoftuan se do të kthehen sot. Dy në Belgjikë, dy në Austri, dy në Turqi dhe dy në Kroaci, praktikisht nesër do të na mbetet numri 100 dhe një pacient në Suedi është akomoduar në një hotel, duke vazhduar të shkojë herë pas here në spital derisa edhe ai të dalë. Kemi paralajmërime për pacientë të tjerë që do të kthehen në ditët në vijim, por për ta do të informojmë më vonë", tha Taravari.

Ai shtoi se në përgjithësi të gjithë janë në gjendje stabile dhe të mirë, përveç katër pacientëve që ishin në gjendje kritike.

“Megjithatë, kur them kritike, sot janë pak më mirë se dje, por ende janë në gjendje relativisht të rëndë shëndetësore”, tha Taravari. bsh/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR