• e shtunë, 28 dhjetor 2024

Ministria e Drejtësisë: Pa Ligj për konfiskim të pasurisë në procedurë civile, nuk mund të kemi luftë kundër korrupsionit dhe krimit

Ministria e Drejtësisë: Pa Ligj për konfiskim të pasurisë në procedurë civile, nuk mund të kemi luftë kundër korrupsionit dhe krimit

Shkup, 21 shtator 2023 (MIA)  - Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga mori pjesë në takimin e fundit të grupit punues i cili po e përgatit Ligjin e ri për konfiskim e pasurisë në procedurë civile. Propozues i ligjit është Ministria e Drejtësisë, ndërsa me Grupin punues  kryeson Sllavica Grkovska, Zëvendëskryeministrja e Qeverisë përgjegjës për politikat për qeverisje të mirë.

Me këtë  ligj do të pamundësohet disponimi me pasuri dhe përfitime pasurore e cila nuk mund të dëshmohet se është fituar nga burime të ligjshme, gjë që i bën të padobishme veprimet e kundërligjshme dhe mundëson luftë efektive kundër krimit dhe korrupsionit.

Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga para anëtarëve të pranishëm të Grupit të punës  theksoi se, ky ligj është i një rëndësie të jashtëzakonshme dhe pa të, nuk mund të zbatohet lufta kundër krimit dhe korrupsionit.

Çështja e procedurës së rregulluar me këtë ligj  përfshin pasurinë brenda ose jashtë Republikës së Maqedonisë së Veriut, që është në pronësi të personave fizik dhe juridik.

Me këtë ligj, siç theksohet në kumtesën nga Ministria e Drejtësisë, mundësohet njohja dhe ekzekutimi i vendimeve të huaja për konfiskim në procedurë civile, si dhe bashkëpunim ndërkombëtar me organe kompetente me qëllim të pamundësimit për të disponuar me pasuri e cila nuk është fituar nga burime të ligjshme.

"Kusht për fillimin e procedurës për përcaktimin e pasurisë, fitimi i së cilës nuk mund të vërtetohet se është nga burime të ligjshme në përputhje me këtë ligj është nëse: ekziston dyshimi i arsyeshëm se ekziston pasuri, fitimi i së cilës nuk mund të dëshmohet se është nga burime të ligjshme, dhe vlera neto e pasurisë, fitimi i së cilës nuk mund të dëshmohet se është nga burime të ligjshme, tejkalon 30.000 euro në kundërvlerë të denarit sipas kursit mesatar të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut", thonë nga Ministria e Drejtësisë.

Autoriteti kompetent për mbledhjen e të dhënave për pasuri, fitimi i të cilës nuk mund të vërtetohet se është nga burime të ligjshme, është Drejtoria e Policisë Financiare, e cila mund të dorëzojë iniciativë deri te Avokati i Shtetit për përcaktimin e masës për sigurimin e pasurisë.

Teksti i Propozim Ligjit  do t'i dërgohet për mendim Komisionit të Venecias dhe Komisionit Evropian. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR