• e premte, 06 mars 2026

Ministri Toshkovski takohet me udhëheqësinë e SELEK-ut: Forcimi i bashkëpunimit rajonal në luftën kundër krimit të organizuar

Ministri Toshkovski takohet me udhëheqësinë e SELEK-ut: Forcimi i bashkëpunimit rajonal në luftën kundër krimit të organizuar

SHkup, 5 mars 2026 (MIA) - Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski zhvilloi sot një takim pune me drejtorin e përgjithshëm të Qendrës së Zbatimit të Ligjit për Evropën Juglindore - SELEK, Oguz Serkan Akin, dhe drejtorin e Çështjeve Ligjore dhe të Brendshme të SELEK-ut, Jovan Peshevski.

Në takim, siç informojnë nga MPB-ja, është diskutuar për promovimin e bashkëpunimit midis Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe SELEK-ut, si dhe forcimin e koordinimit në luftën kundër krimit të organizuar ndërkufitar në rajon. Theks i veçantë u vu në bashkëpunimin operativ, shkëmbimin e informacionit dhe organizimin e hetimeve të përbashkëta midis shërbimeve policore të shteteve anëtare.

Ministri Toshkovski theksoi se Ministria e Punëve të Brendshme mbetet e angazhuar në mënyrë aktive për bashkëpunimin rajonal dhe përdorimin e të gjitha mekanizmave në dispozicion për një luftë më efikase kundër rrjeteve kriminale.

"Bashkëpunimi përmes SELEK-ut është një instrument i rëndësishëm për reagim të koordinuar dhe në kohë të institucioneve në trajtimin e krimit të organizuar transnacional. Hetimet e përbashkëta, shkëmbimi i informacionit dhe komunikimi i drejtpërdrejtë midis shërbimeve janë çelësi për parandalimin dhe shtypjen efektive të aktiviteteve kriminale në rajon", theksoi ministri Toshkovski.

Në takim u theksua se Maqedonia merr pjesë aktive në punën e SELEK, si përmes Këshillit të organizatës, ashtu edhe përmes bashkëpunimit operativ midis shërbimeve policore të vendeve anëtare. Në periudhën e kaluar, përmes SELEK-ut janë realizuar disa hetime të përbashkëta dhe takime operative me shërbimet partnere nga rajoni, veçanërisht në fushën e luftës kundër krimit të organizuar, kontrabandës së emigrantëve, krimit financiar dhe krimit kibernetik.

Bashkëbiseduesit, siç theksojnë nga MPB-ja konfirmuan gatishmërinë e tyre të ndërsjellë për të thelluar më tej bashkëpunimin dhe për të promovuar mekanizmat rajonalë për luftë të koordinuar kundër krimit.mb/

Foto: MPB
 
 

QËNDRONI TË LIDHUR