• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Ministri Taravari mori vaksinën kundër gripit sezonal, në ISHP vaksinohen punonjësit shëndetësorë, janë formuar edhe ekipe mobile

Ministri Taravari mori vaksinën kundër gripit sezonal, në ISHP vaksinohen punonjësit shëndetësorë, janë formuar edhe ekipe mobile

Shkup, 24 tetor 2024 (MIA) - Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari sot mori vaksinën kundër gripit sezonal. Në deklaratë për mediumet gjatë vizitës në Institutin për shëndet publik Taravari tha se parandalimi është mënyra më e mirë për mbrojtje nga gripi sezonal, posaçërisht për punonjësit shëndetësorë.

Deri më tani, siç deklaroi, janë vaksinuar rreth 10.000 qytetarë, ndërsa janë paraqitur rreth 52.000 qytetarë të cilët mund të vaksinohen në 36 pika në vend.

"Ka aplikacion të posaçëm vakcinacija.mk në të cilën mund të paraqiten të gjithë qytetarët. Deri më tani janë paraqitur 52.000 qytetarë të cilët duhet të marrin vaksinë në 36 pikat në vend. E shfrytëzoj mundësinë t'u bëj thirrje të gjithë qytetarëve posaçërisht atyre të cilët janë në kategoritë e ndjeshme, ta marrin këtë vaksinë sepse me të pamundësohet paraqitja e komplikimeve posaçërisht tek të rriturit të cilët kanë edhe komorbiditete të tjera", tha Taravari.

Janë furnizuar rreth 70.000 vaksina për gripin sezonal, ndërsa vaksinimi tashmë ka filluar. Në Institutin për shëdnet publik mund të vaksinohen punonjësit shëndetësorë, ndërsa atje janë formuar edhe ekipe mobile të cilat prej sot do të shkojnë nëpër institucione shëndetësore.

"Këtë e bëjmë për tre arsye - t'ua lehtësojmë punën punonjësve shëndetësorë, ta rrisim numrin e të vaksinuarve dhe të jemi më efikasë, të përfundojmë më shpejtë dhe ISHP të vazhdojë me vaksinim edhe të qytetarëve të tjerë në ISHP", deklaroi drejtoresha e Institutit për shëndet publik, Maria Andonova.

Nga Ministria e Shëndetësisë paralajmërojnë se në nëntor apo dhjetor do të promovojnë strategjinë për vaksinim në të cilën do të ceken edhe hapat ligjor që mund t'i ndërmarrin lidhur me antivaksinimin.

"Për fat të keq, antivaksinimi jo vetëm në Maqedoni, por edhe në përmasa botërore po merr hov gjithnjë e më të madh. Me Organizatën botërore të shëndetësisë po përgatisim strategji për vaksinim dhe shpresoj se në nëntor apo fillim të dhjetorit do ta promovojmë dhe do të tregojmë ligjërisht se çka mund të ndërmarrim në këtë plan", tha Taravari. ab/

Foto: МIА

QËNDRONI TË LIDHUR