• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Ministri Murtezani në takim bilateral me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi

Ministri Murtezani në takim bilateral me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi

Shkup, 18 nëntor 2024 (MIA) - Në kuadër të seancës së përbashkët të Qeverive së Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, e cila u mbajt në Prishtinë, ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, sot mbajti takim bilateral me tëvendëskryetarin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, përgjegjës për integrime evropiane, zhvillim dhe dialog, informojnë nga Ministria e Çështjeve Evropiane.

Në takim u bisedua për avancimin e bashkëpunimit në procesin e reformave dhe përafrimin drejt Bashkimit Evropian, ku u theksua rëndësia e mbështetjes se ndërsjellë dhe shkëmbimin e përvojave gjatë zbatimit të reformave dhe harmonizimit me standardet evropiane.

Ministri Murtezani theksoi përkushtimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për të vazhduar dialogun konstruktiv me Kosovën, si kontribut i rëndësishëm për stabilitetin rajonal dhe zhvillimin e përbashkët. Në këtë kontekst, u theksua roli i IPA III programit për bashkëpunim ndërkufitar (2021-2027), i cili paraqet shembull të bashkëpunimit të ndërsjellë efektiv e kahësuar drejt mbrojtjes së mjedisit jetësor, zhvillimit ekonomik dhe përforcimit të komuniteteve lokale.

Dy bashkëbiseduesit iu referuan edhe koordinimit të ndërsjellë në procesin e zbatimit të Agjendave reformuese të dy vendeve dhe shprehën optimizëm për përforcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale, me theks në përkushtim të përbashkët për integrimet evropiane si dhe në realizimin e vizionit për Ballkanin Perëndimor të qëndrueshëm, prosperues dhe evropian. bsh/

Foto: Ministria e Çështjeve Evropiane

QËNDRONI TË LIDHUR