• e shtunë, 23 nëntor 2024

Ministri Liburn Aliu: Për realizimin e rrugës Tetovë- Prizren jemi në fazën e marrëveshjes financiare

Ministri Liburn Aliu: Për realizimin e rrugës Tetovë- Prizren jemi në fazën e marrëveshjes financiare

Shkup, 16 gusht 2023 (MIA) - Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Kosovës, Liburn Aliu në konferencën e sotme për media me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti informoi se për realizimin e rrugës Tetovë- Prizren tashmë është përgatitur studim i fizibilitetit nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe bëri me dije se tani janë në fazën e marrëveshjes financiare për realizimin e projektit.

"Kësaj radhe tashmë ka një studim fizibiliteti të përgatitur nga Republika e Maqedonisë së Veriut. Jemi në fazën e një marrëveshje financiare për ta realizuar projektin, dizajnimin për tunelin e përbashkët dhe më pas të kalojmë në fazën e realizimit të plotë të këtij projekti. Ky projekt, përveç lidhjes së Prizrenit me Tetovën, lidh edhe pjesën e Parkut kombëtar të Malit Sharr në pjesën e Republikës së Kosovës me pjesën e parkut kombëtar në pjesën e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Këto dy zona kanë vlera dhe mundësi të jashtëzakonshme për zhvillim ekonomik përmes turizmit dimëror dhe veror dhe kjo rrugë do të krijojë mundësi për menaxhim të përbashkët të Parkut Kombëtar dhe menaxhim të zhvillimit të turizmit për të dyja vendet", ka thënë Aliu.

Ndërkohë, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti deklaroi se është në interes të vendit tonë dhe Republikës së Kosovës të vazhdojë ky komunikim dhe bashkëpunim, sepse siç tha ai, "është në interes të të dyja vendeve tona".

"Por të bashkëpunohet edhe me vende të tjera të rajonit siç janë Republika e Shqipërisë, Greqia, Bullgaria, Serbia dhe të forcohet bashkëpunimi mes vendeve të rajonit. Natyrisht që jemi investitorë të fuqishëm në drejtim të paqes, stabilitetit, sigurisë dhe një të ardhme të sigurt të rajonit i cili prej jo më shumë se 20 vjet është në konflikte dhe luftëra me pasoja serioze, ndërsa qasja që po aplikohet tani është në të mirë të të gjitha vendeve tona. Por, që ky angazhim të jetë i suksesshëm dhe të prekë drejtpërdrejtë popujt dhe shtetet", ka thënë Ahmeti.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami më 11 gusht u angazhuan për ndërtimin sa më të shpejtë të rrugës Tetovë - Prizren e cila do të kalonte nëpër Malin Shar.

Më pas Kasami theksoi se nëse pushteti qendror nuk ka interesim, si pushtet lokal do të përpiqen që të realizohet ideja e lidhjes infrastrukturore të të dyja qyteteve në të dy anët e kufirit.

"Nëse Qeveria nuk ka interesim që të realizohet pjesa e rrugës Tetovë - Prizren konform studimit dhe punëve të dakorduara me Qeverinë e Republikës së Kosovës, ne si pushtet lokal në kuadër të kompetencave dhe mundësive tona nuk do të rrimë duarkryq, do të punojmë siç kemi investuar tashmë në këtë segment të rëndësishëm prej shtatë kilometrash në rrugën nga Sellca në Vicë për të bërë edhe pjesën tjetër. Dhe rreth kësaj do të jemi në kontakt të afërt me Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe pushtetin lokal në Prizren për ta realizuar këtë pjesë. Gjithashtu, inkurajojmë Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut që të punojë seriozisht në pjesën e zbatimit të rrugës Tetovë-Prizren konform studimit që është bërë dhe konform marrëveshjeve që janë dakorduar", ka thënë Bilall Kasami.

Foto: Printskrin nga video

 

QËNDRONI TË LIDHUR