• e enjte, 26 dhjetor 2024

Ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut pretendon se Koreja e Veriut dërgon mijëra kontejnerë me municion në Rusi

Ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut pretendon se Koreja e Veriut  dërgon mijëra kontejnerë me municion  në Rusi

Seul, 27 shkurt 2024 (MIA) - Koreja e Veriut  që nga korriku i vitit të kaluar deri më tani në Rusi ka dërguar rreth 6.700 kontejnerë me miliona copë municione   për të mbështetur luftën kundër Ukrainës, si pjesë e marrëveshjes për shkëmbimin e armëve, njoftuan sot mediat koreano-jugore, duke e cituar ministrin e Mbrojtjes. 

Në konferencën e djeshme për mediat lokale, ministri i Mbrojtjes së Koresë së Jugut, Shin Von-sik tha se në kontejnerë mund të ketë më shumë se tre milionë predha artilerie 152 mm ose 500.000 predha 122 mm. 

"Është e mundur, gjithashtu, të bëhet fjalë për një kombinim dhe mund të konstatohet se janë dërguar të paktën disa milionë granata", tha ministri Shin, transmeton agjencia Jonhap. 

 Qindra fabrika të Koresë së Veriut për municion punojnë me rreth 30 për qind të kapacitetit të tyre për shkak të mungesës së lëndëve të para dhe energjisë elektrike, dhe ato që prodhojnë granata artilerie për Rusinë punojnë me "kapacitet të plotë", shtoi ai, pa përmendur burimin e informacioneve.

Seuli dhe Uashingtoni kanë akuzuar Phenianin dhe Moskën për tregti të armëve dhe kanë dënuar Korenë e Veriut për furnizimin e Rusisë me armë për përdorim kundër Ukrainës. 

Edhe Rusia   edhe Koreja e Veriut e kanë mohuar këtë, megjithëse kanë premtuar  se do ta  forcojnë bashkëpunimin ushtarak.

Departamenti Amerikan i Shtetit të premten publikoi  se Koreja e Veriut nga shtatori  Rusisë i ka dërguar më shumë se 10.000 kontejnerë me municion ose pajisje të ngjashme.  

Në këmbim, Koreja e Veriut mori rreth 9.000 kontejnerë, përmbajtja e të cilave është kryesisht ushqim. 

 

QËNDRONI TË LIDHUR