Ministri i Lloga me njoftim me shkrim informon bashkësinë ndërkombëtare për moszbatimin e vendimeve të GJEDNJ nga Bullgaria
- - Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, u ka dërguar njoftim me shkrim Ambasadës së SHBA-së në RMV, Delegacionit të BE-së, Misionit të OSBE-së dhe Zyrës së Programit të Këshillit të Evropës, me të cilin i informon për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) nga ana e Republikës së Bullgarisë.
- Post By Fitore Curri
- 16:18, 11 maj, 2023
Shkup, 11 maj 2023 (MIA) - Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, u ka dërguar njoftim me shkrim Ambasadës së SHBA-së në RMV, Delegacionit të BE-së, Misionit të OSBE-së dhe Zyrës së Programit të Këshillit të Evropës, me të cilin i informon për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) nga ana e Republikës së Bullgarisë.
Në njoftimin me shkrim që është dërguar së bashku me 14 aktgjykimet, thuhet se Ministria e Drejtësisë po kërkon mbështetje nga bashkësia ndërkombëtare në fushën e promovimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
"Përmbushja e këtij qëllimi nënkupton ekzistencën e përkushtimit të vazhdueshëm dhe respektimin e vazhdueshëm të obligimeve ndërkombëtare që Republika e Maqedonisë së Veriut i ka ndërmarrë si vend që aktualisht është në proces të integrimeve evropiane. Respektimi i dokumenteve ndërkombëtare është një segment jashtëzakonisht i rëndësishëm për të cilin veçanërisht vendet anëtare të BE-së, por edhe vendet që pretendojnë të anëtarësohen në BE, duhet t’i mbështesin dhe t’u përkushtohen", qëndron në kumtesën e Ministrisë së Drejtësisë.
Bashkësia ndërkombëtare është një partner jashtëzakonisht i rëndësishëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut, i cili është i përfshirë në të gjitha proceset reformuese dhe një partner që padyshim fuqishëm dhe vazhdimisht përkushtohet për respektimin e sundimit të ligjit.
"Prandaj, Ministria e Drejtësisë vlerëson se është çështje e një rëndësie të veçantë aktuelizimi i çështjes së moszbatimit të vendimeve të GjEDNj-së, duke theksuar nevojën e mbështetjes nga bashkësia ndërkombëtare për zbatimin konsekuent të vendimeve të gjykatës", thuhet në kumtesën e MD-së. fc/
Fotografia: Ministria e Drejtësisë