Ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së do të diskutojnë për kredinë për Ukrainën dhe sanksionet ndaj Rusisë
- Ministrat e punëve të jashtme të BE-së takohen sot në Bruksel për të diskutuar për kredinë e re për Kievin dhe paketën e 20-të të sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë.
- Post By Sara Ademi
- 08:37, 23 shkurt, 2026
Bruksel, 23 shkurt 2026 (MIA) - Ministrat e punëve të jashtme të BE-së takohen sot në Bruksel për të diskutuar për kredinë e re për Kievin dhe paketën e 20-të të sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë.
Bisedimet po zhvillohen një ditë para përvjetorit të katërt të pushtimit të plotë të Rusisë, më 24 shkurt 2022.
Kredia prej 90 miliardë eurosh (106 miliardë dollarë) fillimisht u dakordua në dhjetor dhe u miratua nga Parlamenti Evropian.
Financimi synon të përmbushë nevojat financiare të qeverisë ukrainase deri në fund të vitit 2027, duke i mundësuar asaj t'i rezistojë më tej Moskës.
Megjithatë, ministri i jashtëm hungarez Peter Sijarto, njoftoi të premten se Budapesti do të bllokonte kredinë nëse nuk vazhdon eksporti i naftës ruse në Hungari nëpërmjet naftëpërçuesit "Druzhba".
Burime ukrainase thonë se rrjedha e naftës është ndërprerë nga bombardimet ruse që nga fundi i janarit. Hungaria dhe Sllovakia, të cilat gjithashtu vazhdojnë të marrin naftë ruse përmes gazsjellësit, akuzojnë udhëheqjen ukrainase se po pengon qëllimisht vazhdimin e dërgesave.
Diskutimet me siguri do të fokusohen edhe në paketën e 20-të të sanksioneve ndaj Rusisë, duke përfshirë një ndalim të shërbimeve detare që lidhen me eksportin e naftës së papërpunuar ruse.
Së bashku me masat që synojnë eksportin e lëndëve djegëse fosile të Rusisë, Komisioni Evropian ka propozuar gjithashtu kufizime shtesë financiare për të kufizuar më tej aftësinë e Rusisë për të bërë pagesa ndërkombëtare për financimin e aktiviteteve ekonomike.
Në takim do të diskutohet gjithashtu edhe për luftën në Gaza dhe Bordin e Paqes të presidentit të SHBA-së, Donald Tramp.
Një komisar i BE-së mori pjesë si vëzhgues në takimin e parë të këshillit javën e kaluar, duke marrë kritika nga Franca.
Përveç kësaj, ministrat e punëve të jashtme të BE-së do të diskutojnë edhe për përshkallëzimin e krizës në Iran dhe situatën në Siri. sa/