• e martë, 24 dhjetor 2024

Ministrat e BDI-së i nënshkruan dorëheqjet dhe ia dorëzuan kryeministrit Kovaçevski

Ministrat e BDI-së i nënshkruan dorëheqjet dhe ia dorëzuan kryeministrit Kovaçevski

Shkup, 1 gusht 2023 (MIA) - Të gjithë ministrat nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), gjegjësisht zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri dhe ministri i Financave, Fatmir Besimi sot përmes profileve të tyre në Fejsbuk njoftuan se i kanë nënshkruar dorëheqjet dhe ia kanë dorëzuar kryeminstrit Dimitar Kovaçevski. 

"Si bartës i një funksioni të rëndësishëm publik, i vetëdijshëm se mirëqenia e qytetarëve tanë dhe e ardhmja e tyre padyshim i përket familjes së madhe evropiane, duke pasur parasysh emërimin e subjektit politik të cilit i përkas dhe që në parim mbron integrimin e vendit si në NATO dhe BE dhe për marrëdhënie të ngushta dhe të thelluara me SHBA-në, duke pasur parasysh kushtin e pahijshëm të opozitës për të kaluar në Kuvend ndryshimet kushtetuese, duke e ditur rëndësinë e integrimit dhe të ardhmes dinjitoze të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i nderuar kryeministër, paraqes dorëheqjen time nga pozita e Ministrit të Ekonomisë, të cilën ju kërkoj ta aktivizoni në momentin kur opozita do të votojë ndryshimet e propozuara në Kuvend dhe ato të hyjnë në fuqi", shkruan në dorëheqjet e ministrave të publikuara në Fejsbuk.

Ata theksojnë se ndjehen krenarë dhe të nderuar nga besimi i ofruar nga ana e liderit Ali Ahmeti, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe qytetarët, si dhe nga besimi i kryeministrit të jenë pjesë e kabinetit të reformave dhe të integruar qeveritar dhe tu shërbejnë qytetarëve. 

Ministrat nga BDI më 30 korrik paralajmëruan se do të japin dorëheqje nga funksionet që do të bëhen efektive pasi VMRO-DPMNE do të votojë për ndryshimet kushtetuese. 

"Ministrat dhe funksionarët qeveritarë nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim japin dorëheqje nga postet që aktualisht janë duke i ushtruar. Dorëheqjet, z. kryeministër, materializohen me automatizëm në momentin kur opozita të votojë ndryshimet kushtetuese", qëndron në publikimin e Ali Ahmetit në Fejsbuk.
 
Përndryshe, një nga kërkesat e opozitës në takimin e liderëve në mesin e kryetarëve të LSDM-së dhe të VMRO-DPMNE-së ishte që të formohet qeveria në të cilën nuk do të marrë pjesë BDI-ja. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s/ Fejsbuk

QËNDRONI TË LIDHUR