• e enjte, 26 dhjetor 2024

Minçev për mosmarrëveshjet me Vlen-in për Balancuesin: Duhet të respektojmë ligjet, shpresoj se ky është qëllimi i tyre

Minçev për mosmarrëveshjet me Vlen-in për Balancuesin: Duhet të respektojmë ligjet, shpresoj se ky është qëllimi i tyre

Shkup, 31 korrik 2024 (MIA) - Çdo koment i kolegëve të Vlenit është i parëndësishëm. Ne si ministra duhet t'i respektojmë ligjet, shpresoj se synimi i tyre është të respektohen ligjet, tha ministri i Administratës Publike Goran Minçev lidhur me mosmarrëveshjet me koalicionin Vlen për aplikimin e mjetit digjital Balancues për punësimin e bashkësive etnike në sektorin publik.

Pas reagimeve të koalicionit Vlen, me të cilin partia ZNAM është bashkë në koalicionin qeveritar të udhëhequr nga VMRO-DPMNE, sipas të cilit mënyra e re e pranimit të Balancuesit, duke marrë përqindjen e popullsisë rezidente dhe jo të diasporës, është një zgjidhje jofunksionale, theksoi Minçev se nuk heq dorë nga ajo që është shkruar në ligj.

"Ligji për të punësuarit në sektorin publik me vendosmëri thotë se balancuesi vlen ekskluzivisht për banorët, për qytetarët që janë në territorin e Republikës së Maqedonisë, d.m.th. popullata rezidente dhe unë si ministër nuk do të largohem nga respektimi i ligjeve në formën në të cilën janë shkruar tani", tha Minçev pas hapjes së serisë së parë të diskutimeve për reformat në administratën publike.

Ai shtoi se në deklaratat e tij këto ditë ka theksuar se në vitet e kaluara ky mjet është keqpërdorur nga të gjitha bashkësitë etnike për të gjetur vende pune në institucionet publike.

"Balancuesi në përgjithësi është keqpërdorur. Kjo do të thotë se maqedonasit shkruheshin shqiptarë, se shqiptarët shkruheshin maqedonas, se pjesëtarët e bashkësive të tjera etnike shkruheshin ose maqedonas ose shqiptarë për t'u punësuar në institucionet publike.Qëllimi i Balancuesit është që të ketë një përfaqësim të drejtë të përkatësive etnike. Ajo që komentova dje është zbatimi dhe respektimi i ligjeve", theksoi ministri.

Pyetjes së një gazetari nëse interpretimet e ndryshme të aplikimit të Balancuesit me partnerin e koalicionit në Qeveri mund të sjellin rezistencë apo bllokim nga ana e Vlenit në miratimin e ligjeve kyçe për sektorin publik, të cilave iu kushtua edhe debati i sotëm, Minçev u përgjigj se pret konsensus për zgjidhjet ligjore.

"Në këtë debat ishin edhe përfaqësues të Qeverisë që janë nga radhët e Vlenit. Mendoj se këto debate do t'i shterojnë ato mundësi dhe mendoj se do të arrijmë në zgjidhje të përbashkëta ligjore, sepse askush nuk është individ në këtë Qeveri. Mirëpo, këto janë ligje që do të miratohen nga Qeveria e re, pra do të kalojnë në Parlament, por me propozim të Qeverisë. Ministria e Administratës Publike është bartëse e këtyre zgjidhjeve ligjore dhe shpresoj se do të kemi konsensus për draft tekstet e ligjeve të reja", shtoi Minçev. sa/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR