• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Minçev: Nuk kam ndërmend të provokoj askënd, tema për balancuesin ka marrë fund

Minçev: Nuk kam ndërmend të provokoj askënd, tema për balancuesin ka marrë fund

Shkup, 30 korrik 2024 (MIA) - Nuk kam ndërmend të provokoj asnjë nga partnerët tanë të koalicionit. Do të përsëris, vetëm zbatojmë ligje, ndërsa një nga parimet në të cilat është dakorduar ky koalicion është edhe respektimi i ligjeve. Unë vetëm zbatoj ligje. Në Ligjet për të punësuarit në sektorin publik qartë shkruan se mjeti balancues zbatohet vetëm për qytetarët të cilët jetojnë në territorin e Republikës së Maqedonisë, ndërsa ajo është popullata rezidente në bazë të të dhënave nga regjistrimi i fundit. Shpresoj se kolegët nga VLEN do të mbushen mend, do t'i kushtojnë më shumë vëmendje leximit të ligjeve ekzistuese dhe do të përkushtohen në zbatimin e këtyre ligjeve, ndërsa nuk do të merren me tema politike ditore, deklaroi sot ministri i Administratës Publike, Goran Minçev.

Në konferencë për media, Minçev duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve përsëriti se përllogaritja e balancuesit, gjegjësisht përfaqësimi i drejtë i bashkësive etnike në administratën publike, ka të bëjë vetëm me popullatën rezidente, gjegjësisht me të gjithë banorët të cilët jetojnë në territorin e shtetit. 

"Ajo temë ka përfunduar dhe është arkivuar. Nuk ekziston asgjë që është e qëllimshme. Ose do të respektohet ligji ose nuk do të respektohet. Si ministër jam i detyruar ta respektoj ligjin dhe këtë do ta bëj derisa të jem ministër deri në presjen e fundit. Në mënyrë strikte është përmenduar neni nëse mendoni për përllogaritjen e balancuesit se ka të bëjë vetëm me popullatën rezidente, gjegjësisht në territorin e Republikës së Maqedonisë. Kjo nënkupton se të gjithë banorët të cilët jetojnë në territorin e Republikës së Maqedonisë do të jenë në përllogaritjen e të a.q. balancues, gjegjësisht në formulën për përllogaritje. Ajo temë ka përfunduar dhe është arkivuar dhe zbatohet", deklaroi Minçev në pyetjen e gazetarëve. fc/

Fotografia: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR