• e premte, 27 dhjetor 2024

Milloshoski: Do të mbështesim një zgjidhje sistematike që ka të bëjë me uljen e koeficienteve të pagave të funksionarëve

Milloshoski: Do të mbështesim një zgjidhje sistematike që ka të bëjë me uljen e koeficienteve të pagave të funksionarëve

Shkup, 2 maj 2023 (MIA) - VMRO-DPMNE ka vullnet politik për të mbështetur një zgjidhje sistematike që ka të bëjë me uljen e koeficienteve për përllogaritjen e pagave të funksionarëve, deklaroi sot deputeti Antonio Milloshoski.

I pyetur nëse si parti politike planifikojnë të iniciojnë propozim për ndryshime ligjore për pagat e funksionarëve që me vendim të Gjykatës Kushtetuese u rritën për 78 për qind, Milloshoski tha se shumë nga propozimet e tyre për ndryshime ligjore nuk janë miratuar në periudhën e kaluar dhe për këtë arsye i bëri thirrje pushtetit sa më shpejt ta dorëzojë deri në Kuvend atë që e paralajmëron si ligj sistematik.

"Si parti politike para se kjo të jetë temë për të ardhurat personale dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, para dy muajsh kishim disa propozim- ligje, por do përmendja atë që është më i rëndësishëm. Kemi iniciuar propozim ligj për shfuqizimin e 40 vendeve të zëvendësdrejtorëve që janë votuar në Ndërmarrjet publike shtetërore nga ana e LSDM-së dhe BDI-së në mënyrë që të mund më lehtë të merren vesh në kuadër të koalicionit, edhe pse ishin të panevojshëm dhe krijojnë shpenzim të madh buxhetor. Pushteti me një votim ka qenë kundër nevojës që ky ligj të vihet në rend dite. Këtë e theksoj për t'ju vënë në dijeni se ne kemi një përvojë të keqe me shumë propozime tona që kanë të bëjnë me shpenzimet buxhetore dhe uljen e tyre. Prandaj do t'i japim mundësi pushtetit që atë që e paralajmërojnë si ligj sistematik sa më shpejt të arrijë në Kuvend dhe opozita do ta përkrahë", ka thënë Milloshoski.

Me vendim të Gjykatës Kushtetuese për heqjen e dy neneve të Ligjit për pagat dhe shtesat e funksionarëve, mundësohet rritja e pagave të funksionarëve shtetëror për 78 për qind. Ligji vlen edhe për të ardhurat e kryeministrit, presidentit, kryetarit të Kuvendit, por edhe për të gjithë bartësit e funksioneve publike.

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR