• e martë, 24 dhjetor 2024

Micotakis: Kryeministri i ri duhet të deklarojë qartë se e respekton Marrëveshjen e Prespës, përndryshe mund të ketë një “përvojë të parë të pakëndshme” në samitin e NATO-s

Micotakis: Kryeministri i ri duhet të deklarojë qartë se e respekton Marrëveshjen e Prespës, përndryshe mund të ketë një “përvojë të parë të pakëndshme” në samitin e NATO-s

Athinë, 5 qershor 2024 (MIA) – Mesazhi për liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, që kur zyrtarisht të bëhet kryeministër të japë një deklaratë kategorike se e respekton Marrëveshjen e Prespës, e ka dërguar edhe një herë kryeministri grek, Kirjakos Micotakis dhe theksoi se përndryshe, e vetmja gjë që mund të arrihet është "përvojë e parë e pakëndshme" në samitin e NATO-s në fillim të korrikut, njoftoi korrespondentja i MIA-s nga Athina.

Micotakis ka folur sonte në edicionin qendror të lajmeve të televizionit grek “Antena”, ndërsa iu referua edhe Ballkanit, marrëdhënieve me vendin tonë, Marrëveshjes së Prespës, por edhe perspektivës së BE-së.

"Sa i përket Shkupit, Maqedonisë së Veriut, mesazhi im për kandidatin për kryeministër është shumë i qartë. Periudha parazgjedhore ka përfunduar. Marrëveshja e Prespës, e cila për ne kishte shumë probleme, por arritja kryesore është një emër për të gjithë, erga omnes, duhet respektuar. Dhe të bëjë një deklaratë kategorike, kur edhe zyrtarisht do ta marrë detyrën e kryeministrit, se e respekton Marrëveshjen e Prespës", tha Micotakis.

Në lidhje me atë se çfarë do të ndodhte ndryshe, ai paralajmëroi një "përvojë të parë të pakëndshme" në Samitin e NATO-s në gjysmën e parë të korrikut.

“Përndryshe, e vetmja gjë që do të mund të arrijë është të ketë një përvojë të parë shumë të pakëndshme, kur të takohemi të gjithë së bashku në Uashington, në 75 vjetorin e NATO-s, në fillim të korrikut”, shtoi Micotakis dhe përsëriti edhe një herë se Samiti i NATO-s do të ngrejë çështjen specifike.

Theksoi se gjithashtu kanë një mënyrë për t'u shpjeguar edhe miqve të tyre, sepse, siç tha e konsiderojnë "popullin e Maqedonisë së Veriut si popull miqësor" që në fund të fundit "nëse duan të afrohen me Evropën, rruga drejt Europës kalon përmes Greqisë dhe marrëdhënieve të mira me Greqinë”, duke shtuar se e njëjta gjë vlen edhe për Shqipërinë.

I pyetur nëse është në tavolinë mundësia që Greqia të bllokojë rrugën e dy vendeve drejt Bashkimit Evropian, Micotakis u shpreh optimist se, megjithatë, kjo nuk do të jetë e nevojshme.

"Mendoj se nuk do të jetë e nevojshme të arrijmë deri në atë pikë, sepse jam i sigurt që logjika do të mbizotërojë në fund. Por mendoj se isha absolutisht i qartë, tha Micotakis.

Intervista e kryeministrit grek për “Antena” ishte pjesë e një sërë intervistash në prag të zgjedhjeve europiane të së dielës.

Micotakis sonte mban një tubim parazgjedhor në Selanik, ndërsa të premten do të mbajë tubimin e fundit, tradicionalisht në qendër të Athinës. ls/

Foto: kabineti i kryeministrit grek

 

QËNDRONI TË LIDHUR