• e mërkurë, 21 janar 2026

Mickoski: Votimi i diasporës duhet të shqyrtohet së bashku me një njësi zgjedhore

Mickoski: Votimi i diasporës duhet të shqyrtohet së bashku me një njësi zgjedhore

Shkup, 14 janar 2026 (MIA) - Çështja e mënyrës së votimit për diasporën duhet të shqyrtohet së bashku me mundësinë e futjes së një njësie të vetme zgjedhore dhe në përputhje me kufizimet ligjore në vendet ku jetojnë mërgimtarët, deklaroi sot kryeministri dhe kryetar i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, pas takimit të liderëve që u mbajt në Klubin e Deputetëve.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për nismën e partnerit të koalicionit qeveritar "VLEN" me të cilën propozohet që diaspora të fitojë më shumë të drejta dhe mundësi për të votuar në disa nga zgjedhjet e ardhshme, Mickoski theksoi se para së gjithash, duhet të përcaktohet nëse shteti do të ketë një njësi zgjedhore.

"Para se të kalojmë te metoda e votimit për diasporën, duhet të përcaktojmë dy gjëra. Së pari, a do të kemi një njësi zgjedhore, sepse atëherë të gjitha votat do të bashkoheshin në një grup, pavarësisht nëse janë vota nga popullsia rezidente apo nga diaspora", tha Mickoski.

Çështja e dytë, sipas tij, është fakti se ka vende që nuk lejojnë votim eksterritorial jashtë misioneve diplomatike dhe konsullore.

"Ka vende që lejojnë që votimi të organizohet ekskluzivisht brenda përfaqësive diplomatike dhe konsullore, por ka edhe nga ato që nuk e lejojnë fare. Kjo është një pengesë e vërtetë. Ne ramë dakord që duhet të jemi krijues dhe të vazhdojmë të mendojmë dhe diskutojmë, por në këtë pikë duhet të jetë në nivelin e koordinatorëve të grupeve parlamentare", deklaroi kryeministri. 

I pyetur për mbështetjen e mundshme për ligjet me dy të tretat e shumicës së votave, përfshirë ligjin që lidhet me projektin "Sejf siti", Mickoski theksoi se të gjitha ligjet reformuese që kanë një mendim pozitiv nga Komisioni i Venecias ose Komisioni Evropian duhet të mbështeten pa kushte.

“Të gjitha ligjet dhe procedurat që janë pjesë e agjendës së reformave dhe kanë një mendim pozitiv nga Komisioni i Venecias ose Zyra e Komisionit Evropian duhet të mbështeten, pavarësisht nga forma, sepse të gjithë jemi për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha Mickoski.

Shtoi se mbështetja nuk duhet të kushtëzohet me çështje që lidhen me balancimin ose mekanizma të tjerë, nëse përmbushen të dy parakushtet.

Lidhur me takimin e paralajmëruar tet-a-tet me liderin e partisë opozitare Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, kryeministri theksoi se në kuadër të aktiviteteve të tij takohet me të gjithë aktorët relevantë politikë në vend. "Në kuadër të aktiviteteve të mia, takohem me të gjithë aktorët relevantë politikë në vend dhe kjo është normale", deklaroi Mickoski. ls/

Foto: Printskrin

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR