• e mërkurë, 01 prill 2026

Mickoski: Publiku pret përgjigje se si u “riaktualizuan” rastet e PSP-së, për 27 prillin, për Spitalin modular në Tetovë

Mickoski: Publiku pret përgjigje se si u “riaktualizuan” rastet e PSP-së, për 27 prillin, për Spitalin modular në Tetovë

Shkup, 1 prill 2026 (MIA) - Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi sot se publiku duhet të dijë se si u zhvilluan procese të caktuara që lidhen me "riaktualizimin" e rasteve të PSP-së kur ish prokurorja speciale publike Katica Janeva ishte tashmë në burg, si dhjetëra persona u gjykuan për terrorizëm, ndërsa dëshmitarët e mbrojtur nën presion jepnin deklarata për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend, por edhe për transferimin e kompetencave për zjarrin në spitalin modular në Tetovë, për rastet në sektorin energjetik, në sektorin e qymyrit, nëse ka kompani që sponsorizuan politikanë të caktuar, automjetet e tyre, pronat...

"Pres që prokurori i ri publik në opinion të dalë me qëndrim se si "e burgosura e atëhershme Katica Janeva i transferoi kompetencat e saja dhe i riaktualizoi rastet e ish Prokurorisë speciale publike (PSP). Në çfarë mënyre dhe si u bë kjo. Publiku dhe qytetarët meritojnë ta dinë sepse ata i paguan ato miliona të shtrenjta në honorarë për ata të ashtuquajturit prokurorë që ishin pjesë e PSP-së. Opinoni duhet ta dijë këtë, sepse u paguan me para publike dhe rezultati dihej - përfundoi me një çantë Lui Viton plot me kartëmonedha valutore. Kështu përfundoi në mënyrë të palavdishme e gjithë kjo, ndërsa duhej të ishte simbol i drejtësisë, derisa qytetarët që e financuan duhet ta dinë të vërtetën", tha Mickoski.

Së dyti, sipas tij, ata duhet ta dinë të vërtetën se si dhjetëra njerëz u gjykuan për terrorizëm dhe si funksionuan dëshmitarët e mbrojtur - rasti që lidhet me 27 prillin.

"Qytetarët e Maqedonisë duhet ta dinë këtë. Nuk mund të ecim përpara nëse nuk dihet e vërteta dhe nëse ka të ashtuquajtur dëshmitarë të mbrojtur që nën presion dhanë deklarata nga persona të caktuar nga gjyqësori dhe prokuroria që ishin të përfshirë në atë proces më 27 prill. Publiku këtë duhet ta dijë nëse duam të ecim përpara", tha kryeministri.

Aspekti i tretë, siç tha ai, të gjitha ato parashtresa nga institucionet së bashku me Entin shtetëror të revizionit që janë në prokurori dhe të cilat mbetjet e PSP-së dhe garnitura e mëparshme i mbanin në sirtar duhet të shqyrtohen dhe të përpunohen.

"Nëse kjo nuk ndodh, nuk shoh që në të ardhmen dikush të jetë mbrojtës i drejtësisë. Si ndodhi Spitali modular, pse ndodhi, pse u transferuan kompetencat, si ndodhën shumë raste në sektorin e energjisë, në sektorin e qymyrit, a ka kompani që sponsorizuan politikanë të caktuar, automjetet e tyre, pronat, etj... Si ndodhën shumë gjëra në të kaluarën? E gjithë kjo është dokumentuar dhe është dorëzuar në prokurori. Fakti që nuk kemi bërë një shfaqje të të gjithave këtyre është një çështje tjetër, por fakti është se është aty dhe pres që prokurori i ri publik i shtetit dhe ekipi i tij të kujdesen për këtë", tha Mickoski.

Nëse nuk kemi kapacitet për të hapur kaq shumë raste, u përgjigj kryeministri në pyetjen e gazetarëve, Qeveria siç ka dhënë pëlqimin për 200 punësime të reja në gjykata, ashtu do të japë pëlqim edhe për punësime në prokurori.

Për momentin, tha se nuk është planifikuar takim me prokurorin e ri publik shtetëror.

Mickoski duke iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me heqjen e ingerencave të prokurores Lençe Ristovska për rastet që lidhen me VMRO-DPMNE-në, tha se është vendim i prokurorisë dhe se përgjigjet duhet të kërkohen atje.

"Ky është vendim i prokurorisë. Nuk kam asgjë për të komentuar këtu, ndoshta duhet t'i pyesni ata", tha Mickoski i cili sot ishte në Gazi Babë.

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR