Mickoski pret që tenderi për autobusët për transportin publik të shpallet deri në fund të vitit
- Autobusët elektrikë për transportin publik të qytetit do të sigurohen me tender i cili pritet të shpallet deri në fund të vitit, dokumentacioni teknik është duke u përgatitur, kompanitë e interesuara do të mund të aplikojnë, informoi sot kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e kopshtit të fëmijëve në Komunën e Kisella Vodës.
- Post By Fami Bajrami
- 14:30, 25 nëntor, 2024
Shkup, 25 nëntor 2024 (MIA) - Autobusët elektrikë për transportin publik të qytetit do të sigurohen me tender i cili pritet të shpallet deri në fund të vitit, dokumentacioni teknik është duke u përgatitur, kompanitë e interesuara do të mund të aplikojnë, informoi sot kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e kopshtit të fëmijëve në Komunën e Kisella Vodës.
Mickoski theksoi se blerja e autobusëve do të kontribuojë në uljen e ndotjes së ajrit dhe do të përmirësojë imazhin e shtetit.
Siç tha, do të blihen midis 100 deri në 120 autobusë, prej të cilëve shumica do të përfundojnë në Shkup, por edhe në komunat tjera në mbarë vendin që kanë organizuar transport publik urban, kështu që, potencoi, do të ishte e padrejtë dhe e pandershme që të gjithë ata të përfundojnë në Shkup, sepse edhe komunat tjera kanë transport të organizuar publik në qytet.
"Të themi nëse blejmë 120 ajo do të ishte në proporcion ndoshta 70/50, 80/40, bëhet fjalë për autobusë elektrikë, ekologjikë deri në 50 pika për mbushje…", deklaroi kryeministri.
Në lidhje me specifikimet teknike, ai tha se kohëzgjatja e mbushjes do të jetë rreth dy orë e gjysmë e cila do të jetë e mjaftueshme për 350 e 400 kilometra në komunikacion në nivel ditor.
"Mendoj se kur ata të vendosen në rrugë në të gjithë qytetet dhe për vendin, mendoj se ndotja do të ulet në mënyrë dramatike në masën që munden dhe do të thotë realisht një imazh i mirë për ne si vend që ne në Maqedoni më në fund kemi autobusë elektrikë që qarkullojnë me çmime konkurruese, sepse ndoshta ka pasur në të kaluarën, por ju e dini që pasoheshin nga shumë dyshime për krime dhe korrupsion", tha kryeministri.
Autoritetet përcaktojnë kushtet, përgatitet dokumentacioni teknik, tregu skanohet, autobusët elektrikë do të blihen me tender, afati i pagesës do të jetë me këste tetë vite e gjysmë ose në katër vite.
"Të gjithë ata që vlerësojnë se do të duhet të regjistrohen, le të regjistrohen, ne do të përcaktojmë edhe kushtet e pagesës. Kushtet e pagesës do të jenë të tilla që ne do të fillojmë t'i shlyejmë ato diku në gjysmën e parë të vitit 2028 në tetë këste gjashtë mujore të cilat do të jenë në një periudhë katër vjeçare ose një grejs periudhë tre vjeçare, kështu që mendoj se do të jetë mirë", theksoi Mickoski. rq/
Foto: MIA