• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Mickoski: Pres që Siljanovska të ketë mbi 500.000 vota, ndërsa VMRO-DPMNE mbi 55 deputetë

Mickoski: Pres që Siljanovska të ketë mbi 500.000 vota, ndërsa VMRO-DPMNE mbi 55 deputetë

Shkup, 29 prill 2024 (MIA) - Rezultati i 24 prillit është i qartë, e qartë është edhe porosia e popullit se opozita duhet të formojë qeverinë e ardhshme, porositi sonte kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Ai pret që më 8 maj Gordana Siljanovska Davkova të ketë mbi 500.000 vota, ndërsa VMRO-DPMNE të paktën 55 deputetë.

Në intervistën për “360 gradë”, Mickoski ka përmendur se dalja minimale në rrethin e dytë do të jetë mbi 40 për qind dhe vendi do ta ketë presidentin e ri.

"Në secilën nga njësitë zgjedhore pres të kemi ngritje prej nga një deputet, bile edhe në gjashtën, ndërsa për Gordana Siljanovska Davkovën pres mbështetje nga Taravari, Vankovska dhe Jakimovski", theksoi Mickoski.

Ai është i bindur se VMRO-DPMNE do të marrë shumicën prej 61 deputetësh, por edhe shumicën e Badenterit. Ai ka ripërsëritur qëndrimin e partisë në lidhje me ndryshimet kushtetuese, duke theksuar se nëse ndryshimet kushtetuese janë kusht i koalicionit “VLEN” për të hyrë në qeveri, një kusht i tillë nuk do të pranohet. Prioritet mbetet integrimi evropian i Maqedonisë dhe se këtu nuk ka dilema, por vendi duhet të ketë një qëndrim shumë më të saktë dhe të dijë se çfarë plani ka Evropa për të.

Mickoski në intervistë edhe një herë u bëri thirrje të gjitha partive politike që deklarohen si opozitarë, për bashkim kombëtar dhe shtetëror kundër pushtetit.

"Rezultati i 24 prillit është i qartë, mesazhi i popullit është i qartë se opozita duhet ta formojë qeverinë. Nuk mundet që një parti politike të jetë në vazhdimësi, më shumë se 20 vjet, pak me njërën, pak me anën tjetër dhe të manipulojë vazhdimisht me qytetarët dhe votuesit", tha kryetari i VMRO-DPMNE-së.

Sa i përket koalicionimit me VLEN, Mickoski është decid se duhet t'i jepet shans opozitës.

"Ka shumë punë që konsideroj se duhet të ndryshohen në skenën politike. Nëse pyetni qytetarët, shumica, tre të katërtat e popullit janë që BDI-ja të shkojë në opozitë, një kohë të gjatë janë në pushtet. Ne duhet t'u japim të tjerëve një shans dhe një mundësi për t’u dëshmuar. Të shohim se me çfarë potenciali disponojnë partitë e bashkuara rreth VLEN-it. Sa i përket ndryshimeve kushtetuese, qëndrimi ynë është i qartë dhe këtu nuk ka ndryshime. Ne nuk kemi hapur debat të tillë për këtë temë. Për BE-në kemi qëndrim të qartë, jemi për vazhdimin e eurointegrimeve të Maqedonisë dhe këtu nuk ka asnjë dilemë, gabimet janë bërë nga qeveria e kaluar, ne nuk kemi ndërmend ta pranojmë, por nuk e injorojmë dhe prandaj ne duam të kemi një qëndrim shumë më preciz, të shohim se çfarë është në thelb një plan për ne Evropa, nëse ka ndonjë plan për ne, të jemi më të qartë sepse kështu është përsëri mjegull", tha lideri i VMRO-DPMNE-së.

Në lidhje me atë se sa është serioz në qëllimin se do të ketë tolerancë zero ndaj krimit dhe korrupsionit, ai përsëriti se kushdo që ka shkelur ligjin do të mbajë përgjegjësi. Sa i përket kontrollit të pasurisë së gjyqtarëve, Mickoski nënvizoi se e gjithë kjo do të bëhet konform të dhënave të disa institucioneve.

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR